Kombëtarja shqiptare ka nisur grumbullimin në Barcelonë, në prag të dy ndeshjeve të fundit të fazës kualifikuese për Botërorin 2026, ndaj Andorrës dhe Anglisë. Stafi dhe lojtarët janë të përqendruar kryesisht te sfida e parë, e cila konsiderohet vendimtare për rrugëtimin drejt Kupës së Botës.
Sulmuesi Indrit Tuci, që rikthehet në Kombëtare, u shpreh për fshf.org se ndihet shumë i lumtur për mundësinë që i është dhënë dhe se nuk do të kursejë përpjekjet në këto dy ndeshje:
“Të them të drejtën ndihem shumë mirë, ndihem i lumtur që u ktheva në Kombëtare. Është një arritje e madhe për çdo futbollist të jetë pjesë e ekipit, sidomos kur kemi një mundësi më shumë për të shkuar në Botëror. Do jap maksimumin tim, çunat më pritën shumë mirë dhe shpresoj të bëjmë mirë në këto dy ndeshje.”
Ai shtoi se atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë dhe përgatitjet intensive për Andorrën po ecin në mënyrë perfekte:
“Të gjithë shoqërohemi mirë, ka harmoni grupi dhe po punojmë shumë për Andorrën. Për momentin po mendojmë vetëm për ndeshjen e parë; më pas do të përqendrohemi te Anglia. Po analizojmë çdo detaj dhe shpresojmë që dëshirat e trajnerit t’i realizojmë në fushë dhe të mos e zhgënjejmë.”
Tuci paralajmëroi se Andorra nuk duhet nënvlerësuar, pasi skuadra kundërshtare është e organizuar dhe e vështirë për t’u thyer:
“Më e rëndësishme është ndeshja e parë me Andorrën dhe nuk duhet të nënvlerësohet. Ata mbrohen me çdo kusht dhe dinë të penalizojnë gabimet. Shpresojmë ta fitojmë këtë takim dhe pastaj do të mendojmë për sfidën me Anglinë.”
Kombëtarja shqiptare pritet të japë maksimumin në këto dy sfida vendimtare për të siguruar një vend në Botërorin 2026.







