Kombëtarja e Serbisë mund të përballet me një sanksion të ashpër nga FIFA, pas ngjarjeve të papërshtatshme gjatë ndeshjes kundër Anglisë në Beograd, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.
Nga ana sportive, Serbia pësoi një humbje të thellë 0-5 ndaj anglezëve, me golat e Harry Kane, Noni Madueke, Ezri Konsa, Marc Guehi dhe Marcus Rashford (nga penalltia).
Megjithatë, problemet më të mëdha për Federatën Serbe të Futbollit lidhen me incidentet në tribunat e stadiumit.
Sipas mediave britanike, veçanërisht portalit “Sportbible”, sjellja e tifozëve serbë mund t’i kushtojë rëndë Serbisë, duke përfshirë edhe sanksione të rënda.
Gjatë ndeshjes u shfaq një banderolë me mbishkrimin “Kosova është zemra e Serbisë”, ndërsa u dëgjuan kore që lidhen me Kosovën dhe Metohinë.
Këto veprime kanë shkaktuar reagime të ashpra nga autoritetet në Kosovë, të cilët kërkuan nga FIFA dhe UEFA masa të menjëhershme ndaj Serbisë.
Ndeshja u ndërpre për pak minuta pasi një lazer u drejtua nga tifozët drejt fytyrës së mbrojtësit anglez Ezri Konsa. Spikeri i stadiumit u detyrua të paralajmërojë publikun për ndalimin e përdorimit të lazerëve dhe piroteknikës.
Gjithashtu, tifozët përdorën fishkëllima artificiale për të hutuar lojtarët në fushë.
Probleme pati edhe në tribuna, ku policia ndërhyri për të qetësuar grupime tifozësh që nisën të këndonin këngë kundër qeverisë serbe.
FIFA dhe UEFA ende nuk kanë lëshuar një komunikatë zyrtare, por pritet që Serbia të përballet me gjoba të konsiderueshme dhe ndalimin e pranisë së tifozëve në stadium për ndeshjet e ardhshme.
Një dënim i tillë mund të bëjë që Serbia të presë Shqipërinë më 11 tetor në stadiumin “Rajko Mitiç” pa praninë e tifozëve.
Edhe ish-gjyqtari i njohur anglez, Keith Hackett, paralajmëroi pasojat: “Përdorimi i lazerëve është i rrezikshëm dhe i papranueshëm. Raporti i arbitrit francez Clement Turpin dhe i vëzhguesit do t’i shkojë FIFA-s. Serbia do të marrë një dënim të rëndësishëm,” deklaroi ai për “Football Insider”. /ATVLIVE.TV