Ka një ndjesi të përbashkët që po na kap të gjithëve: koha nuk është më ajo që ishte. Ditët duken më të shkurtra, vitet ikin pa u ndier dhe ritmi i jetës na shtyn para sikur jemi në një garë që askush nuk e ka nisur me dëshirë. Nuk është vetëm perceptim, është një fenomen që psikologët, sociologët dhe ekspertët e teknologjisë po e vërejnë gjithnjë e më shumë:ne po jetojmë më shpejt, shpesh më shpejt sesa mund të përballojmë.
Në një botë ku çdo gjë është matje: hapa, kalori, emailë, rezultate dhe klikime, koha është bërë një burim që shpenzohet pa asnjë vetëdije. Kemi mësuar të garojmë me afatet, alarmet dhe presionin, por pak kush ndalet të pyesë: a po ecim me ritmin tonë, apo me ritmin e botës?
Teknologjia ka shpejtuar çdo gjë: mënyrën si punojmë, si komunikojmë, madje edhe mënyrën si mendojmë. Ajo ka sjellë përfitime të jashtëzakonshme, por krahas tyre edhe një ndjenjë të vazhdueshme urgjence. Në ekranet tona, çdo ditë kalojnë dhjetëra informacione që dikur do të kërkonin javë të tëra për t’u përthithur.
Sa më shumë tentojmë të kursejmë kohë, aq më shumë duket se humbasim. Pajisjet që duhej të na e lehtësonin jetën na ngjeshin edhe më shumë: mesazhe të menjëhershme, kërkesa që presin përgjigje të menjëhershme, pritshmëri që as nuk i kemi vendosur vetë.
Kërkimi për efikasitet ka humbur lidhjen me ritmin natyror të njeriut. Shpejtësia është bërë standard, qetësia luks. Dhe sa herë që marrim frymë pak më thellë, ndihemi fajtorë, sikur po humbim kohë.
Ndjenja e kohës së humbur është kthyer në ankthin më të madh modern. Njerëzit punojnë më shumë, por ndihen më pak produktivë. Udhtojnë më shpejt, por ndihen më larg vetes. Jetojnë në një botë me më shumë mundësi, por me më pak durim.Ky ritëm i pakontrolluar po krijon një brez të tërë që mendon shpejt, por nuk përjeton thellë; që planifikon shumë, por nuk jeton mjaftueshëm.
Në fund, koha nuk është diçka që fitohet apo humbet. Është thjesht diçka që jetohet. Dhe në këtë garë të padukshme që na dikton epoka moderne, beteja e vetme reale është të mos harrojmë veten.







