Kupa e NBA-së ka përfunduar në duart e New York Knicks, të cilët më në fund do të kenë mundësinë të varin një banderolë të ri në tavanin e legjendarit Madison Square Garden, përkrah titullit historik të vitit 1973.
Skuadra nga New York triumfoi në finale ndaj San Antonio Spurs me rezultat 124-113, pas një ndeshjeje plot ritëm, intensitet dhe kthesa. Knicks treguan karakter të madh, duke përmbysur një disavantazh prej 11 pikësh në mesin e çerekut të tretë, falë agresivitetit në mbrojtje dhe vendimeve të guximshme të trajnerit Brown.
Çmimi MVP i finales, i përzgjedhur nga një panel prej 20 votuesish, iu nda liderit të Knicks, Jalen Brunson, i cili udhëhoqi ekipin në momentet vendimtare.
Finalja nisi me një San Antonio energjik. Victor Wembanyama e filloi ndeshjen nga stoli edhe këtë herë, ndërsa Spurs prodhuan basketboll cilësor në minutat e para përmes dyshes Fox–Castle. Knicks u kundërpërgjigjën me një OG Anunoby dominant në të dyja anët e fushës, duke mbajtur ekipin në lojë.
Wembanyama pati nevojë për kohë për t’u futur në ritëm, por Spurs gjetën momentin e tyre në çerekun e dytë falë gjuajtjeve nga distanca dhe një loje më të organizuar. Tekasanët ndërtuan një epërsi prej shtatë pikësh, por Knicks reaguan në fund të pjesës së parë, duke bërë që Spurs të shkonin në pushim vetëm me dy pikë epërsi.
Në çerekun e tretë, Wembanyama u aktivizua më shumë dhe shënoi 12 pikë, duke ndihmuar Spurs të krijonin një avantazh maksimal prej 11 pikësh. Megjithatë, Knicks nuk u dorëzuan. Fizikaliteti i Mitchell Robinson nën kosh dhe energjia e jashtëzakonshme e Kolek i rikthyen njujorkezët në lojë.
Momenti vendimtar erdhi në fillim të çerekut të katërt, kur Knicks realizuan një seri 11-1, duke marrë kontrollin e plotë të finales. Trajneri Brown i besoi rezervave edhe në momentet më të nxehta të ndeshjes, një vendim që rezultoi vendimtar, ndërsa Spurs humbën qartësinë në sulm.
Në fund, Knicks menaxhuan epërsinë dhe ngritën Kupën e NBA-së në “T-Mobile Arena” në Las Vegas, duke shënuar një sukses të madh dhe duke hapur një kapitull të ri në historinë e klubit.






