Jurgen Klopp ka reaguar ndaj spekulimeve që e lidhnin atë me postin e trajnerit të Real Madridit, pas ndarjes së klubit madrilen me Xabi Alonson. Drejtori i futbollit global te Red Bull GmbH ka qenë i qartë se këto zëra nuk kanë asnjë bazë reale.
Ish-trajneri i Liverpoolit ka shprehur habinë për mënyrën se si u zhvilluan ngjarjet në Madrid, duke vënë në pah presionin e madh që ekziston në klubin spanjoll dhe mungesën e kohës për ndërtim afatgjatë.
Sipas Kloppit, fakti që një trajner si Xabi Alonso, i cili kishte lënë përshtypje shumë pozitive me Bayer Leverkusen gjatë dy viteve të fundit, u largua vetëm gjashtë muaj pas marrjes së detyrës, tregon qartë klimën aktuale në “Santiago Bernabeu”.
Ai theksoi se pritshmëritë te Real Madridi janë në një nivel ekstrem dhe se vendimet shpesh merren nën ndikimin e presionit të menjëhershëm, sidomos pas rezultateve negative, si humbja në finalen e Kupës ndaj Barcelonës.
Klopp gjithashtu bëri të ditur se emri i tij u përmend pa asnjë arsye konkrete dhe se ai nuk ka pasur asnjë kontakt apo interes lidhur me këtë çështje. Ai pranoi se ishte i befasuar nga situata, duke shtuar me humor se disa mesazheve u ishte përgjigjur vetëm me emoji.
Me këtë reagim, Klopp i ka dhënë fund zërave për një rikthim të mundshëm në pankinë, të paktën në të ardhmen e afërt.






