Komuna e Prishtinës ka njoftuar se rruga “Robert Doll” do të mbyllet përkohësisht nesër, duke filluar nga ora 04:00 e mëngjesit, për shkak të punimeve të asfaltimit që do të zhvillohen gjatë ditës.
Sipas njoftimit zyrtar, punimet pritet të zgjasin rreth 12 orë, ndërsa qarkullimi do të rikthehet menjëherë pas përfundimit të tyre.
“Lusim qytetarët që gjatë kësaj kohe të shfrytëzojnë rrugët alternative për qarkullim, derisa punimet të përfundojnë. Faleminderit për mirëkuptimin tuaj dhe bashkëpunimin për një kryeqytet me infrastrukturë më të mirë!”, thuhet në komunikatën e komunës.
Komuna ka theksuar se këto ndërhyrje janë pjesë e projekteve për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në kryeqytet, me synimin për të lehtësuar qarkullimin dhe për të rritur sigurinë në trafik.







