KFOR-i mohon se negocioi me terroristët e Banjskës

Përgatiti: Armand Hoti
Misioni Paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, i ka mohuar informacionet e publikuara në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, në të cilin thuhet se KFOR ka negociuar me grupin terrorist që kreu sulmin në Banjskë të Zveçanit, për të ikur nga ai territor.
Reklamë
“Kjo është e pasaktë. Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara. Pasi u thirr për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i u koordinua ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të rivendosur sigurinë në zonë”, thuhet në reagimin e KFOR-it.
Një ditë më parë, raporti i ICG-së u citua në Komisionin për Mbrojtje dhe Siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s. Aty përmendet negocimi i zyrtarëve të KFOR-it për tërheqjen e pjesëtarëve të armatosur, përmes maleve mbi manastirin e Banjskës.
“Pas një periudhe të shkurtër të de-përshkallëzimit gjatë verës, në shtator të 2023-s, rreth 30 burra të armatosur u përplasën me policinë në Banjë dhe u barrikaduan brenda manastirit ortodoks serb, në atë që rezultoi me një rrethim që la të vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues. Zyrtarë të KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës së mbetur të grupit në malet përreth, nëpërmjet të cilave ata u zhdukën”, thuhet në raportin e ICG-së.
Sipas njohësit, Arben Dashevci, për këso situata të ndjeshme të sigurisë, duhet gjithmonë të pritet verdikti i institucioneve të drejtësisë.
“Në aspektin e sigurisë, negocim me terroristët nuk ka…E gjitha tashmë është në fazën e hetimeve, pa kaluar në konspiracione apo në mendime kur është gjithçka nën hetime. Ia lëmë Republikës së Kosovës dhe organeve tona legjitime që ta thonë fjalën e vet përfundimtare sepse aty do jetë e vërteta”, tha Dashevci.
Herën e fundit kur e pati përballë, në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, kryeministri kosovar Albin Kurti, ia kërkoi presidentit serb, Aleksandër Vuciq, dorëzimin e terroristëve të 24 shtatorit në Banjskë.
“Kërkoj nga Serbia që ta dorëzojë Milan Radojiçiq-in në Kosovë dhe grupin e tij paramilitarë që kanë vrarë rreshterin Afrim Bunjaku më 24 shtator të vitit të kaluar”, ka thënë Kurti.
Tre të dyshuar, për sulmin terrorist në Banjskë, të cilët u kapën nga Policia po atë ditë, vazhdojnë të jenë nën masën e paraburgimit.
INTERPOL-I, në dhjetor të vitit të kaluar, lëshoi urdhërarrest për terroristin Radojiqiç, i cili pranoi ta ketë organizuar sulmin në Basnjskë. Ai vazhdon të jetojë në Serbi, ku ishte intervistuar një herë nga Prokuroria dhe më pas ishte lënë i lirë.
Më shumë detaje i gjeni ën Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Reklamë










