Camilla ishte një grua sharmante dhe tërheqëse, e cila fitoi zemrën e Princit Charles. Pas divorcit në vitin 1995, Camilla rindërtoi sërish lidhjen e fortë me të
Ndërsa shumica e njerëzve e kujtojnë Camilla-n si zonjën serioze pranë Mbretit Charles III, pak e dinë se ajo dikur ishte e re, sharmante dhe jashtëzakonisht tërheqëse, një vajzë që e pushtoi zemrën e princit të atëhershëm Charles. Historia e tyre e dashurisë ka zgjatur dekada të tëra, por gjithçka ka nisur shumë më herët sesa mendojnë shumëkush. Princi Charles ishte i dashuruar me të shumë vite para se të takonte Princess Diana-n, ndaj kjo lidhje kishte rrënjë shumë të thella.
Camilla Shand u rrit në një familje të pasur, me prindërit Rosalind dhe Bruce Shand, të cilët i rritën fëmijët me shumë kujdes, por edhe me pritshmëri të larta. E sigurt në vete, e zgjuar dhe natyrshëm sharmante, kështu e kujtojnë miqtë e saj të rinisë, para se të bëhej Mbretëresha Camilla. Thonë se ishte e preferuar në festat e të rinjve dhe se gjithmonë dinte të bënte biseda interesante.
Të dyja gratë që më vonë do të martoheshin me Charles janë shkolluar në Zvicër, ndërsa Camilla më pas kaloi një periudhë edhe në Paris, para se të kthehej në Londër. Aty, një e njohura e saj – Lucia Santa Cruz, e prezantoi me trashëgimtarin e fronit britanik. Nuk vonoi shumë dhe mes tyre shpërtheu dashuria, por lidhja nuk arriti të përkthehej menjëherë në martesë.
Në vitin 1973, Camilla u martua me oficerin e ushtrisë Andrew Parker Bowles. Thuhej se i ati i saj e kishte nxitur vendimin, duke e konsideruar Andrew-n si zgjedhje më të qëndrueshme sesa princi. Lajmi për fejesën e tyre u publikua në gazeta dhe sipas rrëfimeve, Prince Charles ishte i thyer.
Vitet e heshtjes
Edhe pse e martuar, Camilla dhe Charles mbetën në marrëdhënie miqësore dhe shpesh shiheshin së bashku, madje edhe me Andrew-n. Në atë kohë, Camilla iu përkushtua familjes. Ajo dhe bashkëshorti i saj patën djalin Tom dhe vajzën Laura, ndërsa Andrew vazhdoi me sukses karrierën ushtarake.
Megjithëse kaluan vite të ndarë, emocionet mes Camilla-s dhe princit nuk u zhdukën kurrë plotësisht. Aferat paralele u bënë temë e tabloidëve britanikë, ndërsa martesat e tyre nisën të shpërbëheshin. Camilla u divorcua zyrtarisht në vitin 1995.
Fillimi i ri
Pas divorcit, Camilla “lulëzoi” sërish u shfaq elegante, e sigurt dhe plot shkëlqim. Në evenimente publike tërhiqte vëmendjen me stilin dhe karizmën e saj. Një natë në hotelin Ritz, me një fustan të zi dhe një qafore e shkurtër me perla, u përfol gjatë si përgjigjja e saj “e heshtur” ndaj fustanit të famshëm “të hakmarrjes” të Diana-s.
Lidhja me Charles nuk ishte më sekret. Çifti shfaqej gjithnjë e më shpesh bashkë, dhe në vitin 2005 u fejuan, duke u martuar vetëm dy muaj më pas. Aty, Camilla më në fund u bë partnerja zyrtare e njeriut që kishte dashur gjithë jetën.
Sot, Camilla është bashkëshortja e Mbretit Charles III, por në kujtimet e atyre që e kanë njohur në rini, ajo mbetet ajo vajza gazmore, sharmante dhe e dashur – ajo që mori zemrën e Prince Charles shumë përpara se ai ta zbulonte këtë para botës.











