LUI$A (emri i lindjes Luisa Boshnjaku), një artiste alternative-pop e rritur në Prishtinë, Kosovë dhe me bazë në Nju Jork, ka nënshkruar së fundmi një marrëveshje globale me Broke Records, një nga sëpaku së pavarura më të suksesshme në botë.
Nëpërmes menaxhimit nga kompania “Three60 Music”, ajo ka siguruar kontratën për publikimin e dy EP-ve, secila me pesë këngë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në karrierën e saj.
Muzika e LUI$A-s kombinon eksperimentalizmin elektronik me popin komercial, duke u frymëzuar nga ikona si FKA Twigs, Madonna dhe A$AP Rocky, si dhe nga kultura e gjallë e jetës së natës.
Ajo nisi udhëtimin e saj muzikor në moshën 12-vjeçare në SoundCloud, duke ndarë “beat-et” e saj trip-hop si producente e re. Me kalimin e viteve, kaloi në shkrimin dhe publikimin e këngëve origjinale.
Performanca e saj e parë ndodhi gjatë pandemisë në VFILES PTA Remote Sessions (2020), dhe më pas ajo vazhdoi me shfaqje të drejtpërdrejta në vende ikonike si Madame Siam dhe The Peppermint Club në Los Angeles.
Në vitin 2022, LUI$A u diplomua nga LAAMP (Akademia e Los Anxhelosit për Artistët dhe Prodhimin e Muzikës), e krijuar nga producentët fitues të çmimeve Grammy, Stargate, të njohur për bashkëpunimet me artistë si Beyoncé, Rihanna dhe Charli XCX. Gjatë studimeve në LAAMP, ajo fitoi çmimin “Artistja e Vitit” dhe u mentorua nga profesionistë të industrisë si Benny Blanco, Jozzy dhe Jimmy Napes. Këto përvoja i ndihmuan të përsosë aftësitë e saj dhe të thellonte kuptimin e prodhimit muzikor dhe shkrimit të këngëve.
Arti i saj ndikohet thellësisht nga skena muzikore dhe artistike e Kosovës, ku ajo ka bashkëpunuar me dizajnerë, artistë vizualë dhe muzikantë vendas. Kultura e jetës së natës në Evropën Lindore ka pasur një ndikim të theksuar në procesin e saj krijues, duke u reflektuar në temat dhe energjinë e muzikës së saj.
Që nga viti 2023, LUI$A është studente në “Roc Nation School of Music, Sports & Entertainment”, e themeluar nga Jay-Z. Me një bursë të plotë, ajo ka hyrë në një mjedis frymëzues, që mbështet artistët e rinj dhe të talentuar. Kjo shkollë është e njohur për standardet e saj të larta dhe përkushtimin ndaj formimit të liderëve të ardhshëm në industrinë e muzikës dhe argëtimit.
LUI$A ka disa projekte të reja dhe emocionuese që priten të lansohen së shpejti, duke përfshirë bashkëpunime dhe krijime origjinale që reflektojnë stilin e saj unik.