Komisioni Evropian ditëve të fundit u ka kërkuar prokurorëve në Serbi që të raportojnë mbi ecurinë e procedurave kundër sulmuesve të studentëve që kanë qenë në bllokada dhe në rrugët e Beogradit muajt e fundit, pas shembjes së një tende në stacionin hekurudhor në Novi Sad.
Këtë informacion për “Nova” e kanë konfirmuar disa burime të ndryshme nga drejtësia serbe. Së bashku me kolegët e tyre nga Beogradi, jo zyrtarisht, të njëjtën kërkesë e kanë marrë edhe prokurorët e Novi Sadit.
Sipas këtyre informacioneve, Prokuroria e Apelit dhe ajo e Lartë kanë kërkuar raporte për të gjitha rastet që kanë në punë, e gjitha për shkak se KE e ka kërkuar atë raport, për qëllime të mbledhjes së radhës të Nënkomitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri.
Përveç protestave të studentëve, KE po kërkon të dhëna edhe për të gjitha protestat e tjera që u zhvilluan në Serbi gjatë vitit 2024, përfshirë protestat kundër mashtrimit zgjedhor pas zgjedhjeve në dhjetor 2023.
Informacioni me interes për KE ka të bëjë me numrin e personave kundër të cilëve fillimisht janë ngritur kallëzime penale, përshkrimin e atyre veprave, numrin e të dyshuarve që janë urdhëruar të ndalohen, si dhe me paraburgimin, apo ndonjë masë tjetër për të siguruar prania e tyre.
Të dhënat e kërkuara përfshijnë numrin e hetimeve të nisura dhe numrin e kallëzimeve penale të pushuara, si dhe përshkrimin e veprimeve të ndërmarra në procesin e sigurimit të provave.
Në fund, prokuroritë janë pyetur për rezultatin e procedurës së iniciuar, përkatësisht sa persona janë dënuar, sa janë liruar dhe sa marrëveshje janë nënshkruar për pranimin e fajësisë.
Kujtojmë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka pasur një takim sot me Emmanuel Gioffre, shef i delegacionit të BE-së në Serbi. Deklarata zyrtare pas takimit ishte e shkurtër: “Presidenti njoftoi vetëm se Gioffre kishte një takim të shkurtër për shumë tema”.