KB Prishtina ka nisur me fitore rrugëtimin e saj në Ligën e Evropës së Basketbollit (ENBL), duke mposhtur në “Pallatin e Rinisë dhe Sporteve” ekipin norvegjez BC Gimle me rezultat 90-79.
Çerekun e parë e nisën më mirë mysafirët, të cilët fituan 18-13, por pas kësaj kryeqytetasit morën kontrollin e ndeshjes. Çereku i dytë përfundoi 23-15 për Prishtinën, duke rikthyer epërsinë në favor të saj.
I njëjti ritëm vazhdoi edhe në pjesën e dytë: çereku i tretë u mbyll 24-19 për Prishtinën, ndërsa i katërti 30-27, duke vulosur fitoren e ekipit bardhëekaltër.
Katër lojtarë të Prishtinës arritën pikë dyshifrore, ndërsa më i dalluari ishte Deondre Burns me 30 pikë, pesë kërcime dhe katër asistime. Don Polloshka shtoi 15 pikë, tre kërcime dhe katër asistime, Adrio Bailey gjithashtu realizoi 15 pikë, ndërsa Lamb Autrey kontribuoi me 12 pikë.
Prishtina ndodhet në Grupin B të ENBL-së dhe ndeshjen e radhës do ta luajë ndaj Brussels Basketball në udhëtim.