KB Peja ka shënuar edhe fitoren e tretë ndaj KB Yllit në gjysmëfinale me rezultat 90-100, kështu për t’u kualifikuar në finalen e madhe, ndërsa kampioni në fuqi përfundon rrugëtimin e saj këtu.
Për të ardhur deri këtu, pejanët fituan tri ndeshje, ndërsa vetëm një e fitoi Ylli.
Ndeshja e parë e zhvilluar në Pejë përfundoi me rezultat të ngushtë për Shqiponjat që triumfuan 85:82. Pastaj ndeshja e dytë në Suharekë përfundoi me rezultat më të thellë, me mysafirët që shënuan fitore 86:76.
Për ta bërë këtë seri më interesante, Ylli arriti ta ngushte rezultatin në seri, duke shënuar fitoren e parë në Pejë me rezultat 107:104, duke çuar serinë në 2:1 për Pejën.
Ndeshja vendimtare u zhvillua sot në Suharekë, ku me fitoren eventuale të Yllit ndeshja do të shkonte edhe në një përballje të fundit, por Peja nuk i la asgjë rastësisë.
Mysafirët ishin më të mirë pothuajse gjatë tërë takimit, për të arritur deri te fitorja.
Çereku i pari ishte më i thelli për nga diferenca, pasi Peja shënoi 30 pikë kundrejt 13 të Yllit, pastaj në çerekun e dytë ishte lojë më e barabartë, për të përfunduar në fund pjesa e parë 50:32.
Pjesa e dytë filloi më mirë për vendasit, që arritën ta afronin rezultatin deri në dy pikë, por që çereku i katërt në fund tregoi për fitues Pejën me rezultat 90-100.
Më i dalluari në këtë takim ishte Arian Qallaku, i cili nga banka rezervë shënoi 22 pikë dhe pati gjashtë rebounds, ndërsa u ndihmua edhe nga Brad Waldow me 17 pikë e Alban Veseli me 16 pikë, në anën tjetër te Ylli, Gzim Morina me 20 pikë dhe Bashir Ahmed me 21 pikë ishin më të mirët, por pikët e tyre ishin të pamjaftueshme për ta përmbysur rezultatin.
Ylli kështu eliminohet nga Play-Offi i Superligës së Kosovës në gjysmëfinale, ndërsa Peja rrugëton drejt finales, ku e pret fituesin nga ndeshja tjetër KB Prishtina – KB Trepça, me kryeqytetasit që udhëheqin serinë 2:1 me fitore.