Përgatiti: Driton Sadiku
Pas publikimit të lajmit nga ATV-ja se disa kategori të dala nga lufta janë përjashtuar nga subvencionimi i energjisë, ka reaguar Ministri i Financave Hekuran Murati.
Por, postimi i ministrit Murati nuk e sqaron situatën për këto kategori.
Sipas ministrit këto kategori të dala nga lufta duhet të aplikojnë për subvencionim. Por, Ligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare, viktimave civile dhe familjeve të tyre, specifikon se këto kategori gëzojnë të drejtën për tarifë më të lirë të energjisë.
Vendimi të cilit i referohej ministri Murati, e që është miratuar në Qeveri më 19 tetor, as nuk ishte i publikuar në ueb-faqen e Qeverisë e as në atë të Ministrisë së Financave.
Ministri Murati, në reagimin e tij publikoi vetëm një faqe të vendimit, duke përmendur pikën B, ndryshe definimin e termeve të vendimit të ri, sipas të cilit vetëm invalidët e luftës përjashtohen nga aplikimi për subvencion për familje me të hyra mujore prej 150 eurosh për person dhe nuk përmenden kategoritë e tjera.
ATV-ja madje kishte tentuar të sqarojë pretendimet e organizatave të dala nga lufta, duke kërkuar përgjigje nga Ministria e Financave, por askush nuk dha sqarime. Madje edhe tentimi për të pyetur vetë ministrin nuk ishte i mundur.
Në mungesë të përgjigjes së ministrit, shqetësimet e kategorive të dala nga lufta u adresuan me email. Por, Ministria e Financave asnjëherë nuk ktheu përgjigje, ndërkaq ATV-ja mori përgjigje vetëm nga zëdhënësi i Qeverisë, përgjigje e cila ishte e përgjithshme dhe nuk sqaronte situatën e kategorive të dala nga lufta.
Ndërkaq nga Shoqata e Invalidëve të Luftës thirren në ligj me qëndrimin se dispozita ligjore nuk shfuqizohet me vendim.
Andaj, sipas Qeriqit, ministri Murati po manipulon, pasi subvencionimin e gëzonin pa asnjë kriter dhe, sipas tij, janë përjashtuar si kategori të luftës.
Sipas ligjit neni 8 parasheh reduktim të tarifës për rrymë për familjet e dëshmorëve dhe të zhdukurve të UÇK-së, neni 9 përfshin invalidët e UÇK-së dhe neni 13 përfshin familjet e viktimave civile të luftës.