Në fillim të ditës së shtunë, kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës Hajrulla Ceku vizitoi Astritin dhe Drenin dy berberë të rinj dhe theksoi mbështetjen për bizneset lokale dhe nevojën për përmirësimin e infrastrukturës komunitare.
Në Mitrovicë, Faton Peci kritikoi dështimin e tregut të gjelbër dhe premtoi transformimin e tij në një hapësirë të pastër dhe efikase, me pika grumbulluese të produkteve bujqësore.
Në Gjilan, kandidati Alban Hyseni dhe ministrja Albulena Haxhiu u zotuan për mbështetje të grave ndërmarrëse dhe zhvillim ekonomik.
Në Gjakovë, Ardian Gola dhe ministrja Rizvanolli vizituan shtëpinë e modës “Elisse” dhe premtojnë përkrahje për bizneset e vogla e fuqizim të grave.
Kandidati, Filiz Mustafa në Dragash, bashkë me Kryeministrin Kurti, premtoi ndërtimin e një stacioni modern autobusësh me mbështetje qeveritare.
Në Obiliq, kandidati Halil Thaçi premtoi përmirësim të shërbimeve shëndetësore, arsimit dhe mbështetje për bujqit dhe punëtorët.
Taulant Kelmendi në Pejë, premtoi mbështetje konkrete për fermerët, përfshirë subvencione direkte për kokë gjedhi.
Arsim Ademi, kandidati për Viti mori pjesë në manifestimin tradicional “Takimet e Dom Mikelit” në Stubëll dhe premtoi investime në arsim e kulturë.
Valon Hoti, kandidati për Malishevë, kritikoi keqmenaxhimin e mëparshëm premtoi përfundimin e rrugës Banjë–Lladroc në vitin e parë të qeverisjes.