Kadetët e Qendrës për Studime Universitare kanë përfunduar me sukses patrullën tradicionale “Triumfi Dardan 2025”, një garë ushtarake që zhvillohet çdo vit në kushte të vështira terreni, me qëllim të testimit të aftësive fizike, mendore dhe taktike të pjesëmarrësve.
Në këtë edicion morën pjesë gjithsej 27 kadetë, të ndarë në tri skuadra, të cilët gjatë gjithë garës treguan disiplinë, përgatitje dhe profesionalizëm të lartë.
Një veçanti e këtij viti ishte pjesëmarrja e skuadrës nga Akademia Ushtarake e Turqisë, që solli një dimension të ri bashkëpunimi mes institucioneve arsimore ushtarake të Kosovës dhe Turqisë.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, vlerësoi patrullën si një dëshmi të qartë të nivelit të përgatitjes dhe përkushtimit të kadetëve kosovarë, si dhe të miqësisë së qëndrueshme me Turqinë.
“Ky aktivitet jo vetëm që forcon lidhjet ushtarake ndërmjet institucioneve arsimore të dy vendeve, por gjithashtu dëshmon se sfidat e përbashkëta ndërtojnë miqësi të qëndrueshme dhe profesionalizëm të përbashkët,” ka shkruar Maqedonci në Facebook.
“Triumfi Dardan 2025” mbetet një ndër garat më të rëndësishme për formimin ushtarak të kadetëve kosovarë, duke shërbyer si platformë për ngritje të aftësive dhe bashkëpunim ndërkombëtar.







