Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se sot ka filluar periudha e votimit jashtë Kosovës për votim me postë në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.
Kjo periudhë e votimit, e cila zgjat nga 27 tetori deri më 8 nëntor 2025, vlen vetëm për 29,712 shtetas të Republikës së Kosovës që janë regjistruar me sukses si votues jashtë vendit gjatë afatit të përcaktuar për regjistrim (23 korrik – 29 gusht 2025).
Këta votues i takojnë komunave që, sipas rezultateve ende të pacertifikuara, janë pjesë e raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave: Gjakovë (3,141), Gjilan (2,066), Dragash (2,770), Kaçanik (1,149), Klinë (2,230), Fushë Kosovë (489), Mitrovicë e Jugut (1,188), Obiliq (220), Rahovec (1,902), Pejë (1,895), Prishtinë (1,727), Prizren (2,870), Suharekë (3,325), Viti (1,970), Vushtrri (1,019), Junik (1,363), Mamushë (356) dhe Kllokot (49).
KQZ ka nisur procesin e votimit jashtë vendit para certifikimit të rezultateve për të shmangur vonesat në procesin zgjedhor dhe për të siguruar që çdo qytetar i regjistruar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të votuar në kohë.
Në përputhje me Rregulloren Zgjedhore Nr. 04/2025 për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, KQZ ka përgatitur dhe dërguar pakot me fletëvotime për secilin votues të regjistruar. Çdo zarf përmban fletëvotimin, zarfin e fshehtësisë, udhëzuesin me informacione për plotësimin e fletëvotimit dhe procesin e votimit me postë, si dhe zarfin kthyes me shirit mbyllës.
Votuesit duhet që pakon me fletëvotim ta dërgojnë në njërën nga kutitë postare të KQZ-së. Në shumicën e rasteve, adresa e kutisë postare është shënuar paraprakisht nga KQZ, ndërsa në rastet kur mungon, votuesi duhet ta plotësojë vetë me adresën e kutisë postare përkatëse.
Procesi i dërgimit të pakove ka filluar në disa shtete, dhe shërbimet postare do t’i dorëzojnë ato tek votuesit në adresat e tyre të regjistruara.
Kutitë postare janë funksionale në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.








