Boksieri amerikan dhe YouTuber-i i njohur Jake Paul ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, vetëm pak kohë pasi u lirua nga spitali ku po merrte trajtim pas humbjes me nokaut ndaj Anthony Joshua.
Paul u ndal në raundin e pestë të duelit të zhvilluar të premten mbrëma, në një ndeshje ku Joshua dominoi bindshëm me një seri goditjesh të forta, duke e mbyllur përballjen në mënyrë spektakolare. Pas ndeshjes, Paul u diagnostikua me thyerje të nofullës dhe qëndroi për një periudhë nën kujdes mjekësor.
Menjëherë pas daljes nga spitali, 27-vjeçari publikoi një postim që u cilësua si provokues nga shumë ndjekës. Ai ndau një fotografi nga një avion privat, i rrethuar nga tufa parash, çanta luksoze të markës Louis Vuitton dhe simbole të tjera të jetesës së shtrenjtë, duke treguar se humbja në ring nuk e kishte zbehur aspak stilin e tij ekstravagant.
Postimi u shoqërua me një mesazh motivues, ku Paul theksonte rëndësinë e besimit dhe këmbënguljes, pavarësisht dështimeve:
“Ëndrra amerikane. Filloni ëndrrën tuaj sot. Besoni në të. Nëse bini, mësoni. Nëse bini, mos u ndalni.”
Ky reagim ndau opinionin sportiv dhe ndjekësit e tij. Një pjesë e fansave e përgëzuan për mentalitetin pozitiv dhe mënyrën se si po e përballon humbjen, ndërsa të tjerë e kritikuan ashpër për arrogancë dhe mungesë modestie pas një disfate të rëndë.
Sa i përket bilanceve sportive, Anthony Joshua e përmirësoi rekordin e tij në 29 fitore dhe katër humbje, ndërsa Jake Paul tani numëron 12 fitore dhe dy humbje. Sipas raportimeve, të dy boksierët përfituan të njëjtën shumë financiare nga kjo përballje, rreth 78 milionë euro bruto, ose afërsisht 63 milionë euro neto pas zbritjeve.






