Arbitri i njohur rumun, Istvan Kovaç, është caktuar nga UEFA si gjyqtari kryesor i ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Botëror 2026.
Sipas njoftimit zyrtar të UEFA-s, Kovaç do të asistojë nga bashkatdhetarët Mihai Marika dhe Ferenc Tunjogi, ndërsa Horatiu Feșnic do të jetë gjyqtar i katërt.
Në dhomën e VAR-it do të jenë gjermanët Bastian Dankert dhe Pascal Müller, të cilët do të kujdesen për verifikimin e situatave të diskutueshme.
Ndeshja e Grupit K do të zhvillohet të shtunën, më 11 tetor, në orën 20:45, në stadiumin “Dubočica” të Leskovcit. Takimi pritet të jetë një nga më të nxehtët e javës në këtë fazë kualifikuese, duke marrë parasysh rivalitetin e fortë sportiv mes dy përfaqësueseve.
Kovaç, i cili konsiderohet ndër gjyqtarët më të mirë evropianë aktualisht, ka një karrierë mbresëlënëse në arenën ndërkombëtare. Ai arbitroi finalen e fundit të Ligës së Kampionëve mes Paris Saint-Germain dhe Interit në Mynih, si dhe finalen e Ligës së Evropës mes Atalantës dhe Bayer Leverkusenit.
Në vitin 2022, ai gjykoi edhe finalen e Ligës së Konferencës mes Romës dhe Feyenoordit, të zhvilluar në Tiranë.
Pas pesë ndeshjeve të luajtura në Grupin K, Anglia kryeson me 15 pikë, e ndjekur nga Shqipëria me 8 pikë, Serbia me 7 (dhe një ndeshje më pak), Letonia me 4 dhe Andorra që mban vendin e fundit pa pikë.