Mbrëmjen e djeshme u zyrtarizua transferimi i Juan Matës te Melbourne Victory, klub që garon në elitën e futbollit australian (A-League).
Sezonin e kaluar, 37-vjeçari spanjoll ishte pjesë e Western Sydney Wanderers, ku zhvilloi 23 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke realizuar 1 gol dhe dhënë 3 asistime.
Në deklaratën e tij të parë si lojtar i ri i Melbourne Victory, Mata u shpreh:
“Jam i entuziazmuar që po vij në Melbourne dhe do të jem pjesë e një prej klubeve më të respektuara të Ligës. Mezi pres të luaj përpara anëtarëve dhe tifozëve të jashtëzakonshëm. Jam i motivuar të ndihmoj skuadrën të fitojë trofe dhe të punoj me klubin si pjesë e një plani afatgjatë për forcimin e futbollit në vend.”
I lindur në vitin 1988, Mata ka pasur një karrierë të spikatur që filloi në Valencia, për të vazhduar më pas në Premier League, ku veshi fanellat e Chelseat dhe Manchester United. Ai luajti për herë të fundit në Evropë gjatë sezonit 2022-2023 me Galatasarayn, përpara se të transferohej në Japoni te Vissel Kobe.
Në nivel klubesh dhe me kombëtaren e Spanjës, Mata ka fituar 12 trofe, mes të cilëve spikasin Kupa e Botës 2010 dhe Kampionati Evropian 2012 me “La Furia Roja”. /ATVLIVE.TV