Përgatiti: Nora Luta
Një prej kontratave për të cilën akuzohet ish kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, është ajo me operatorin ekonomik nga Greqia “Ergotem Sa”, në vlerë prej 1 milionë e 621,544.20 euro.
Në aktakuzën e re të Prokurorisë Speciale, thuhet se operatorit iu dha jashtëligjshëm tenderi për “Pllakat rrëshqitëse në PF-kanalet e mullinjve të thëngjillit”.
Megjithatë, sipas aktakuzës fillimisht Krasniqi e kishte urdhëruar të akuzuarin tjetër Ymer Draguasha, ish ushtruesin e detyrës së Zyrës së Prokurimit në KEK, që rreth këtij tenderi t’i ftojë në takim dy kompani, SBB dhe Ergotem S.A.
“I pandehuri Nagip Krasniqi, me datën 15.12.2022, i shkruan SMS të pandehurit Ymer Dragusha dhe e urdhëron që për tenderin që do të shpallet me datën 16.12.2022, të ftohen operatori ekonomik “SBB” dhe operatori ekonomik ‘ ‘Ergotem S.A”‘, duke përcaktuar paraprakisht ofertuesit e tenderit dhe pastaj te njëjtën dite Të bëhet shpallja e njoftimit për kontrate”, thuhet në Aktakuzë.
Fitues ishte shpallur kjo e fundit, e cila para nënshkrimit të kontratës kishte kërkuar ndryshimin e kushteve të tenderit, gjë që sipas aktakuzës përmes negocimit i ishte mundësuar.
“Në veçanti lidhur me lartësinë e garancionit bankar që në dosje të tenderit ishte 50% kurse operatori ekonomik kërkonte që të jete 10%, për çka edhe të pandehurit Krasniqi dhe Dragusha me datën 21.03.2023, në zyrat e KEK-ut, mbajnë një takim me përfaqësuesit e OE dhe kundërligjshëm e pranojnë kërkesën, ashtu që garancioni bankar nga 50% zbritet në 15%, me ç ‘rast me datën 07.04.2023, nënshkruhet kontrata nga i pandehuri Ymer Dragusha ndërsa me datën 18.04.2023, nënshkruhet nga i pandehuri Nagip Krasniqi, në shumë 1,621,544.20 Euro”, thuhet më tej në Aktakuzë.
Sipas dosjes së siguruar nga televizion,i Krasniqi akuzohet edhe për zbulim të fshehtësisë zyrtare, ku sipas aktakuzës ai me dashje në vazhdimësi ka zbuluar të dhëna që nuk ishin publike me Koordinatoren e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje Dejona Mihalin, e cila nuk ka asnjë pozitë zyrtare në KEK.
Ndërkohë, Krasniqi akuzohet se në bashkëkryerje me Dragushën, keqpërdoren detyrën zyrtare edhe kur lidhën tenderin për riparimin emergjent të kaldajës në njësinë prodhuese A5.
Gjithnjë sipas PSRK- Dragusha e Krasniqi, zhvilluan negociata me operatorë ekonomik pa qenë anëtarë të Komisionit për vlerësim-negocim, të cilët ishin shpallur të papërgjegjshëm në procedurën e hapur të prokurimit.
Ndonëse për të një Komision, i cili ishte themeluar nga vet Krasniqi, kishte konstatuar se nuk i plotëson kushtet, “Litëin S.A”e kishte fituar tenderin.
“20.01.2023, i pandehuri Krasniqi ka themeluar komisionin për vlerësimin-negocimin e ofertës për aktivitetin e prokurimit “Riparimi kapital emergjent i kaldajë blloku AS”, në përbërje të: Remzi Beshiri kryetar i komisionit, Skënder Isufi dhe Emin Tmava, anëtarë, me qëllim të zhvillimit të negociatave me operatorin ekonomik ‘ ‘Litëin S.A” ‘, të cilët në raportin e vlerësimit të datës 25.01.2023, kanë konstatuar se ky operator nuk i ka plotësuar kërkesat në dosje të tenderit si dhe nuk iu ka përmbajtur premtimeve të dhëna gjatë zhvillimit të negociatave duke rekomanduar anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit, për shkak se operatorin ekonomik kishte kërkuar ndryshimin e tri kushteve te tenderit dhe atë: zvogëlimin e garancisë bankare, zgjatjen e afatit për kryerje të punëve dhe uljen e përqindjes së penaltive”, thuhet në Aktakuzë.
Ndërkohë Isuf Zejna akuzohet se i kishte ndihmuar Krasniqit në përgatitjen e tenderit për konsulencë në vlerë 60 mijë euro, në të cilin ishte pjesëmarrës dh e fitoi kompania ku është aksionar. Për këtë tender KRPP-ja, kishte rekomanduar procedurë të hapur.
“Ashtu që fillimisht i pandehuri Krasniqi ja dërgon njè draft të termave të referencës të pandehurit Zejna, e më pastaj i pandehuri Zejna ia kthen të njëjtin draft të pandehurit Krasniqi, ndërsa ky i fundit draftin e dërgon te Zyra e Prokurimit ne KEK dhe u kërkon inicimin e këtij aktiviteti tè prokurimit me procedurë të negociuar”, thuhet në Aktakuzë.
Sipas aktakuzës si rezultat i veprimeve të Krasniqit e Dragushës nga korriku i 2022-s deri në maj të 2023-s blloku A5 ishte jashtë funksionit, dhe KEK ishte detyruar që të importoj energji elektrike duke i shkaktuar Buxhetit të Kosovës, dëm në shumë prej 36.349.638.62 Euro.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: