Ish i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë gjatë periudhës së luftës, Christopher Hill, vazhdon sot dëshminë në Gjykatën Speciale, duke filluar nga ora 09:00.
Ai nisi dëshminë dy ditë më parë dhe deri më tani, Hill është dëshmitari i pestë i paraqitur nga ekipi i mbrojtjes në gjykimin “Thaçi dhe të tjerët”.
Çfarë tha ai gjatë ditës së djeshme në Hagë?
Edhe në ditën e dytë të dëshmisë, diplomati amerikan foli për rolin e Hashim Thaçit gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.
Në fillim, Hill u mor në pyetje nga avokati i Thaçit, Luka Misetiq, i cili ndër të tjera e pyeti pse kishte vendosur të marrë pjesë në këtë proces gjyqësor. Hill u përgjigj se nuk besonte dhe as nuk kishte dëgjuar ndonjëherë që Thaçi të kishte urdhëruar aktivitete të paligjshme gjatë luftës, prandaj kishte ndjerë detyrim moral që të tregonte atë që dinte.
Më pas, fjalën e mori avokati i Jakup Krasniqit. Gjatë kësaj pjese, Hill deklaroi se nuk kishte besuar që Jakup Krasniqi kishte qenë një nga figurat kryesore të UÇK-së.
Sipas tij, ky ka qenë një problem i madh për amerikanët, pasi u është dashur të udhëtojnë nëpër zona të rrezikshme të konfliktit në Kosovë për të gjetur persona që mund të flisnin në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe që më pas të mund të negocionin me ta.
Hill tha se ishte i vetëdijshëm për mospajtimet mes shqiptarëve, por se kjo nuk e kishte shqetësuar, pasi misioni i tij kishte qenë ndalja e luftimeve mes shqiptarëve dhe serbëve.
Në dëshminë e tij, Hill theksoi se nuk e mban mend të ketë thënë ndonjëherë që Rexhep Selimi – një nga të akuzuarit në këtë proces – kishte mbajtur pozitë të lartë në UÇK, “por kishte qëndrime të vlefshme”.
Ai gjithashtu deklaroi se nuk ishte i sigurt nëse Hashim Thaçi kishte qenë një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nuk e di nëse Hashim Thaçi ka qenë njëri nga themeluesit e UÇK-së dhe fakti që unë nuk e kam hasur emrin e tij deri më vonë gjatë vitit, më sugjeron që ai nuk ka qenë”, tha Hill.
Në vijim të dëshmisë, diplomati amerikan theksoi se nuk mban mend që çështje që lidhen me persona të ndaluar nga UÇK-ja të jenë diskutuar në takimet e tij me Thaçin apo me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së gjatë vitit 1998.







