Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025, deri më 26 dhjetor, ka pranuar dhe menaxhuar 2,480 ankesa, nga të cilat 1,753 janë klasifikuar si shkelje disiplinore dhe janë përcjellë për hetim në Drejtorinë për Hetime të Brendshme të Policisë së Kosovës.
717 ankesa të tjera janë dërguar në Departamentin e Hetimeve të IPK-së për dyshimin e veprimtarisë penale.
Sipas IPK-së, ky numër shënon një rritje mbi 20% krahasuar me vitin 2024, e cila lidhet me fuqizimin e besueshmërisë së qytetarëve dhe transparencën e institucionit.
Gjatë vitit 2025, IPK ka ndërmarrë veprime konkrete për forcimin e integritetit policor, duke arrestuar gjithsej 47 të dyshuar, prej të cilëve 41 janë punonjës të Policisë së Kosovës dhe 6 qytetarë.
Institucioni ka dhënë gjithashtu 129 rekomandime për suspendim dhe 2 për transferim. Në prokuroritë kompetente janë dorëzuar 110 kallëzime penale, 36 raporte të veçanta dhe 85 raporte informuese.
Pesë veprat penale më të shpeshta të trajtuara këtë vit nga IPK janë keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës, keqpërdorim i pozitës zyrtare, rrezikim i trafikut publik, lëndim i lehtë trupor dhe kanosje.
Inspektorati ka realizuar gjithashtu 12 inspektime, përfshirë menaxhimin e punësimit dytësor, reagimin në thirrjet e qytetarëve, përdorimin e teknologjisë në trafik, trajtimin e dhunës në familje dhe administrimin e automjeteve të sekuestruara, duke dhënë 76 rekomandime për përmirësimin e performancës policore.
IPK ka vazhduar të ndërtojë marrëdhënie me qytetarët, partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke marrë pjesë në forume, konferenca dhe trajnime për forcimin e integritetit dhe profesionalizmit policor.
Të dhëna më të detajuara do të publikohen në raportin vjetor të IPK-së për vitin 2025.






