Interi është futur seriozisht në garë për të siguruar shërbimet e kapitenit të Crystal Palace, Marc Guehi, duke iu bashkuar klubeve të mëdha si Liverpool, Barcelona, Real Madrid dhe Bayern Munich në betejën për mbrojtësin e talentuar të përfaqësueses angleze.
Sipas raportimeve nga Italia, zikaltërit po planifikojnë një ristrukturim të repartit defensiv gjatë merkatos së verës, me emra si Stefan de Vrij dhe Francesco Acerbi që mund të largohen nga “Giuseppe Meazza”. Në këtë kontekst, Guehi shihet si një përforcim ideal për të ardhmen.
24-vjeçarit anglez i skadon kontrata me Crystal Palace në vitin 2026, ndërkohë që deri tani nuk është arritur asnjë marrëveshje për rinovim – çka ka nxitur interesin e klubeve të tjera.
Interi po ndjek nga afër situatën, dhe sipas burimeve, klubi italian mund të përfshijë në marrëveshje mbrojtësin e ri Yann Bisseck, i cili është në radarët e Crystal Palace, si pjesë e një shkëmbimi të mundshëm në afatin kalimtar të janarit.
Marc Guehi ishte shumë pranë transferimit te Liverpooli gjatë verës së kaluar, por marrëveshja u prish në momentet e fundit nga ana e Palace. Megjithatë, interesimi për të nuk ka rënë. Ai vlerësohet për maturinë, aftësitë drejtuese dhe qëndrueshmërinë në Premier League.
Pavarësisht konkurrencës së fortë nga Interi, Real Madridi dhe Barcelona, Liverpooli vazhdon të konsiderohet favorit për të siguruar nënshkrimin e Guehit, pasi “The Reds” prej kohësh janë në kërkim të një qendërmbrojtësi të ri për të forcuar repartin mbrojtës. /ATVLIVE.TV