Pas viteve të vështira financiare për futbollin italian, Interi ka shpallur një lajm shumë pozitiv: klubi zikaltër mbylli sezonin 2024-2025 me fitim prej 35 milionë eurosh, një përmbysje e madhe krahasuar me humbjet prej -36 milionë eurosh të sezonit 2023-2024.
Sipas dokumenteve financiare, ky sukses nuk ka ardhur nga ulja e shpenzimeve, por nga rritja e të ardhurave nga pjesëmarrja në Serie A, Champions League dhe Kupën e Botës për Klubet. Totali i të ardhurave të klubit nga Lombardia vitin e kaluar sportiv arriti në 546 milionë euro, duke shënuar një rritje të jashtëzakonshme prej 37%, ose 147 milionë euro më shumë se sezoni i kaluar.
Ky është një rekord historik për Interin dhe futbollin italian, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të vendosur nga Juventus në sezonin 2018-2019, me 464 milionë euro, pra një diferencë rreth 80 milionë eurosh.
Edhe pse sezoni sportiv nuk solli tituj për zikaltërit, rezultatet financiare japin optimizëm dhe tregojnë se Interi po konsolidon fuqinë e tij ekonomike në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.