Sulmet ajrore janë intensifikuar në kryeqytetin e Sudanit, Khartoum, pavarësisht një armëpushimi që synon të lejojë civilët të largohen. Ushtria tha se po sulmonte qytetin për të larguar rivalët e saj paraushtarakë, Forcat e Reagimit të Shpejtë.
Sipas BBC, miliona njerëz mbeten të bllokuar në kryeqytet, ku ushqimi është në mungesë. Fluturimi i parë i madh i ndihmës, i ngarkuar me pajisje mjekësore, ka mbërritur në vend. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thotë se një aeroplan u ul në Port Sudan me 8 tonë ndihma, duke përfshirë pajisje shëndetësore për spitalet.
Më shumë se 70% e objekteve shëndetësore në kryeqytet janë detyruar të mbyllen si pasojë e luftimeve që shpërthyen më 15 prill. Ndërkohë deri tash më shumë se 500 njerëz janë raportuar të vrarë.
Palët ndërluftuese ranë dakord për një armëpushim humanitar pas përpjekjeve intensive diplomatike nga vendet fqinje, SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe OKB. Megjithatë ka pak shenja se ushtria do të respektojë zgjatjen e mëtejshme të armëpushimit.