Miss Universe Jamaica, Gabrielle Henry, pësoi një incident të rëndë gjatë natës paraprake të konkursit në Tajlandë, pasi u pengua dhe ra nga skena ndërsa ecte me taka. Momenti dramatik u filmua dhe pamjet u përhapën menjëherë në rrjetet sociale. Pas rrëzimit, ajo u dërgua me barelë drejt spitalit për trajtim urgjent.
Pronari i konkursit “Miss Universe”, Raul Rocha, reagoi menjëherë pas ngjarjes, duke njoftuar se kishte vizituar modelen në spital dhe se fatmirësisht ajo nuk kishte pësuar fraktura. Edhe Organizata e “Miss Universe Jamaica” konfirmoi se Gabrielle u transportua në Spitalin Paolo Rangsit dhe se gjendja e saj është stabile, megjithëse mjekët po kryejnë analiza të tjera për siguri. Ata i bënë thirrje publikut të mbetet optimist dhe të dërgojë mendime pozitive për shërimin e saj.
Konkurrente të tjera të “Miss Universe” i uruan modele së re nga Xhamajka shërim të shpejtë, ndërsa organizatorët po vijojnë përgatitjet për finalen e madhe që do të mbahet më 21 nëntor. Ky është edicioni i 74-të i konkursit të bukurisë, ku fituesja aktuale, Victoria Kjær Theilvig nga Danimarka, do t’i dorëzojë kurorën mbretëreshës së re të bukurisë.







