IML-ja ende pa raport zyrtar se çfarë u dogj dy javë më parë

Përgatiti: Driton Sadiku

Dy javë nga djegia e zyrave, Instituti i Mjekësisë Ligjore ende nuk ka një raport final mbi atë se çfarë është djegur.

Krejt çka dihet është se dëshmi nuk kishte, por vetëm dokumente të ndryshme.

“Zjarri ka përfshirë zyrat ku janë dëmtuar dokumente, nuk ka pasur dëshmi nëpër zyra. Janë dëmtuar dokumente që lidhen me autopsinë, ekzaminime, dokumente personale, dokumente të administratës, d.m.th. krejt çka gjendet në zyrën e një mjeku ligjor”, tha u.d. i drejtorit të IML-së, Ditor Haliti.

Shumica prej tyre edhe mund të kthehen, pasi siç thotë u.d. i drejtorit, Ditor Haliti, janë të ruajtura edhe në mënyrë elektronike.

“Një pjesë e dokumentacionit ka fotografi, të cilat janë të ruajtura nëpër servera të ndryshëm, të cilat mund t’i nxjerrim përsëri, dhe sigurisht që mjekët një pjesë të dosjeve i kanë të ruajtura edhe nëpër USB apo kompjuterë privatë”, tha Haliti.

Haliti thotë se ende nuk është vërtetuar nëse mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit, kanë qenë brenda zyrave në kohën kur u përfshinë nga zjarri.
Raport zyrtar nuk ka as mbi shkaktarët e zjarrit, ndonëse dyshimet janë te rryma.

Detaje shtesë nuk dhanë as nga prokuroria themelore.

“Ju njoftojmë se rasti gjendet në fazën e grumbullimit të provave, andaj çdo informatë e dhënë në këtë fazë, do të mund ta cenojë integritetin e procedurës”, thuhet në përgjigjen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, kjo është hera e dytë që Instituti i Mjekësisë Ligjore përfshihet nga zjarri.

Në mars të këtij viti, zjarr pati në dhomat ku ruhen provat e vdekjeve të dyshimta, vrasjeve apo rasteve të tjera që janë nën hetim.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA