Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga monitorimet e fundit të cilësisë së ujit të pijshëm në zonën e furnizimit PR03 nga Ujësjellësi i Badocit është vërejtur ulje e dukshme e vlerave të turbullirës.
Sipas IKShPK-së, analizat laboratorike të kryera gjatë tri ditëve të fundit tregojnë se vlerat e turbullirës, si dhe të gjithë parametrat e tjerë bakteriologjikë dhe fiziko-kimikë, janë brenda kritereve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu.
Bazuar në këto rezultate dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, IKShPK ka bërë të ditur se uji në zonën e furnizimit PR03 nga Liqeni i Badocit është i sigurt për pije.
Instituti ka theksuar se, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të vazhdojë monitorimin e rregullt dhe të vazhdueshëm të cilësisë së ujit, duke garantuar transparencë dhe informim të saktë për qytetarët lidhur me sigurinë e furnizimit me ujë të pijshëm.






