Mauro Icardi është rikthyer sërish në epiqendër të polemikave, këtë herë për sjelljen e tij jashtë fushe. Sulmuesi i Galatasarayt është filmuar duke goditur me shuplakë një tifoz që iu afrua gjatë një aktiviteti publik të organizuar nga klubi për promovimin e fanellave të reja.
Ngjarja ndodhi në Stamboll, në praninë e dhjetëra mediave dhe qindra fëmijëve që po prisnin autografe nga idhujt e tyre. Në një moment, një tifoz – thuhet se gjithçka nisi pasi i kërkoi Icardit t’i përmendte bashkëshorten Wanda Nara – u shty nga sulmuesi argjentinas me një gest agresiv që u regjistrua nga kamerat.
Videot u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale duke shkaktuar reagime të forta, ndërsa pamjet tregojnë Icardin tejet të irrituar, duke u larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes së bashku me partneren e tij, pa dhënë asnjë shpjegim.
Mediat turke raportojnë se tifozi i acaruar ka bërë ankesë, ndërkohë që Galatasaray ende nuk ka reaguar zyrtarisht. Spekulohet se klubi mund ta thërrasë sulmuesin për një sqarim të brendshëm, pasi kjo ngjarje shihet si e papërshtatshme në një periudhë ku kampionët e Turqisë janë në qendër të vëmendjes para nisjes së sezonit të ri.
Në opinionin publik turk, veprimi i Icardit është cilësuar si “i ulët dhe i turpshëm” duke rritur presionin mbi drejtuesit e Galatasarayt për të ndërmarrë masa disiplinore ndaj yllit të skuadrës.