Në tone shqetësimi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për zhvillimet politike në raport me situatën në veri të Kosovës.
Ai tha se deklaratat e aleatëve strategjikë të shqiptarëve janë gjithnjë e më alarmante dhe se situata po merr përmasa të një tragjedie politike për Kosovën.
Kryeministri shqiptar theksoi se nuk e kupton ngurrimin e Qeverisë së Kosovës për de-eskalim, duke rrezikuar sanksione nga aleatët e saj.
Si një rrugëdalje dhe material për diskutim, kryeministri Rama tha se të mërkurën u ka përcjellë presidentit Emmanuel Macron, kancelarit Olaf Scholz, Këshillit Evropian dhe SHBA-së një draft-statut për Asociacionin.
“Ju siguroj që është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e asociacionit, dhe patjetër merr në konsideratë se Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës, duke adresuar të gjithë rekomandimet apo konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, tha Rama.
Pasi tha se me mos-formimin e Asociacionit, Kosova dhe Serbia, mbajnë të hapur krizën politike, Rama u shpreh i bindur se Kosova përfiton në nivel ndërkombëtar nëse përmbush obligimet e saja.
“Besoj çdo ditë e më shumë se krijimi i Asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, e njohjes së saj nga të gjithë, e uljes së saj në Kombet e Bashkuara dhe në të gjitha forumet ndërkombëtare dhe e njohjes së ndërsjellë me Serbinë”, tha Rama.
Kryeministri i Shqipërisë tha se draft-statuti i Asociacionit është hartuar nga ekspertë amerikanë dhe evropianë, prej kohësh dhe është mbajtur pikërisht për situata të tilla tensioni e bllokimi të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, e gjeni në videon më poshtë: