Sot i është dhënë lamtumira e fundit ish-ambasadorit kosovar dhe ish-zëvendësministrit të Jashtëm, Anton Berisha, i cili vdiq të enjten.
Ai u varros në varrezat katolike të Pejës pas orës 13:00.
Lajmin për vdekjen e ka bërë të ditur dje djali i tij, Genci, përmes një postimi në Facebook, duke thënë se vdekja erdhi për shkak të një sëmundje të shkurtër që ai kishte.
“Të dashur familjarë dhe miq, Me pikëllim të thellë dhe zemër të rënduar ju njoftojmë se babai ynë i shtrenjtë, Anton Berisha, sot, më datë 2 janar, pas një sëmundjeje të shkurtër, u nda nga kjo jetë, duke lënë pas një boshllëk të paimagjinueshëm në zemrat tona”, shkruan ai në Facebook.
Anton Berisha ka qenë anëtar i AAK-së, parti nga e cila rreth 5 vite më parë dha dorëheqje.
I njëjti ka shërbyer si Zëvendësministër i Punëve të Jashtme gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt.