Kalo te përmbajtja
Të fundit

Mbahet akademi përkujtimore në 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, Kurti: Ende nuk e dimë emrin e vrasësit

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

Mbahet akademi përkujtimore në 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, Kurti: Ende nuk e dimë emrin e vrasësit

Me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Astrit Deharit, është mbajtur akademi përkujtimore, ku është kujtuar jeta dhe veprimtaria e tij, ndërsa është kërkuar zbardhja e plotë e rrethanave të vdekjes dhe vendosja e drejtësisë.

Në akademinë përkujtimore ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në fjalën e tij ka rikujtuar rrethanat e arrestimit dhe vdekjes së Deharit, duke theksuar se edhe dhjetë vjet pas rastit nuk ka asnjë person të akuzuar, arrestuar apo dënuar.

Reklamë

Kurti, në fillim të fjalimit, iu drejtua nënës së Astritit, Xhemile Dehari, dhe babait të tij, Avni Dehari, duke vlerësuar qëndrueshmërinë e familjes dhe kërkesën e saj të vazhdueshme për drejtësi.

“Ne ju drejtohemi me nënë, sepse ju jeni nëna e bashkë-aktivistëve tanë më të ndritur e më shembullorë, Astritit dhe Arbnorit. Për ju ne jemi siç ishin ata, me po atë ndjenjë dashurie dhe respekti. Forca juaj e mrekullueshme është simboli i nënës shqiptare nëpër histori. Ju jeni shembulli i gjallë i nënës që mbajti gjallë kombin. Urtësia dhe trimëria juaj veç vlerën e emancipimit ka për krahasim. E ju sot kërkoni vetëm drejtësi. Kjo është vlera e re që duhet ndërtuar”, deklaroi Kurti.

Kryeministri tha se Astrit Dehari ishte mbajtur në paraburgim për 68 ditë pa aktakuzë, pa gjykim dhe pa dënim, ndërsa gjatë kësaj periudhe, sipas tij, nuk ishte marrë asnjëherë në pyetje.

“Astrit Dehari ishte i paraburgosur, pa aktakuzë, pa gjykim, pa dënim dhe për 68 ditë në burg nuk u mor fare në pyetje. Megjithëkëto, në qelinë A-3 të burgut të Prizrenit, e mbytën. Mbi Astritin është kryer krim prej ditës kur është arrestuar e deri atëherë kur e vranë, këtu e 10 vjet më parë”, tha Kurti.

Ai rikujtoi se Dehari ishte arrestuar më 29 gusht 2016, duke thënë se arrestimi, mbajtja në paraburgim dhe më pas vdekja e tij kishin shkaktuar tronditje të madhe.

“Jemi tronditur të gjithë atë ditë kur e arrestuan Astritin më 29 gusht të vitit 2016. Jemi tronditur të gjithë kur e akuzonin pa aktakuzë, kur e mbanin në burg pa e intervistuar, dhe, jemi tronditur shumë, jemi tronditur tepër shumë, kur na thanë se nuk do ta shohim më”, u shpreh ai.

Kurti kritikoi mënyrën se si ishte trajtuar paraburgimi i Deharit, duke vënë në pah se, sipas tij, mbajtja e një qytetari për 68 ditë në burg pa u intervistuar nuk mund të konsiderohet përpjekje për zbardhjen e së vërtetës.

“Nëse Astriti do të lihej në liri, ose me detyrim të paraqitej në Polici, atëherë do të mund të mos ngutej prokurori që ta merrte në pyetje. Mirëpo, të mbahet në paraburgim një qytetar i Republikës për 68 ditë pa u intervistuar asnjëherë, e të mos i ngutet fare prokurorit, atëherë kjo është së paku tendencë për izolim, e kurrsesi përpjekje për të vërtetën ose drejtësinë”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se duhet bërë dallimi ndërmjet vdekjes së një personi që është duke vuajtur dënimin dhe vdekjes së një personi që ndodhet në paraburgim, duke rikujtuar se Astrit Dehari nuk kishte aktakuzë dhe nuk ishte dënuar.

“Astriti nuk ishte thjesht në burg, Astriti ishte i paraburgosur. Pra, as dënim, as aktakuzë. Është situatë tjetër atëherë kur vdes në burg një person i dënuar e në vuajtje të dënimit. Dhe, është diçka krejtësisht ndryshe atëherë kur vdes dikush në paraburgim. Sepse Astriti në paraburgim jo vetëm moralisht e politikisht, por edhe ligjërisht e nominalisht ishte i pafajshëm”, tha ai.

Duke folur për ecurinë e rastit, Kurti tha se edhe pas dhjetë vjetësh nuk është zbuluar përgjegjësi për vdekjen e Deharit. Ai përmendi edhe ndërrimin e pesë prokurorëve që janë marrë me rastin, si dhe deklaratat e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë të bëra në orët e para pas vdekjes.

“Sot, dhjetë vjet më vonë ne ende nuk e dimë emrin e vrasësit, ndërkohë që pesë prokurorë janë ndërruar përgjatë rastit dhe qysh në orët e para pas mbytjes së tij u patën nxituar institucionet e sigurisë e drejtësisë të japin konstatime para hetimeve. Sot e asaj dite askush nuk është akuzuar, arrestuar, gjykuar e dënuar për rastin e Astrit Deharit”, deklaroi Kurti.

Ai rikujtoi deklaratat e atëhershme të kryepolicit të rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, dhe kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha.

“Kryepolici i rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i pari pati thënë që Astriti ka vdekur nga doza e tepërt e medikamenteve. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, pat konstatuar se Astriti është vetëvrarë ende pa u bërë e pa u kryer hetimet”, tha ai.

Në fjalën e tij, Kurti iu referua edhe raportit të autopsisë së Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, i cili, sipas tij, kishte përcaktuar si shkak të vdekjes asfiksinë mekanike.

“Në anën tjetër, raporti i autopsisë së Mjekësisë Ligjore në Prishtinë tha se shkaku i vdekjes është asfiksia mekanike, pra bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti i fortë, një shishe e plastikës”, theksoi Kurti.

Ai përmendi edhe testimet për substanca narkotike, kohën që Dehari kishte qëndruar në qeli pasi ishte gjetur i shtrirë dhe raportet e ekspertëve të mjekësisë ligjore nga Kosova dhe Zvicra.

“Për 11 lloje të drogave janë zhvilluar teste dhe në asnjërën prej tyre Astriti nuk ka dalë pozitiv. Atë ditë, pra më 5 nëntor 2016, Astriti ngelet mbi katër minuta e gjysmë në qeli pasi që e gjejnë të shtrirë aty. Për katër minuta njeriu vdes katër herë! Raporti i autopsisë së ekspertëve të mjekësisë ligjore Besim Ymaj dhe Besim Latifaj, si dhe Raporti i Institutit Zviceran nga Lozana, përjashtojnë si mundësi vetëvrasjen e Astritit”, u shpreh ai.

Kurti tha se rasti përmban, sipas tij, shumë fakte që kërkojnë hetim të mëtejshëm, duke përmendur edhe rrethanat e vdekjes së Naser Makollit, i cili ishte bashkëshort në qelinë me Deharin dhe personi që e kishte gjetur atë pas vdekjes.

“Pra, sikur mbrojtja e Astritit të mos mjaftonte, shoku i tij i dhomës, i cili e gjeti i pari Astritin, më datën 4 prill të vitit pasues 2017, gjendet i vdekur në qelinë D7 të burgut të Lipjanit. Ai është ankuar për dhembje lukthi, ka humbur shumë në peshë, por në fund ka vdekur nga pëlcitja e aortës. Rrethanat e vdekjes së Naser Makollit, të njeriut i cili tha që ia ka dhënë i pari ndihmën e parë, por më pas dha edhe deklarata kontradiktore se është frikësuar nga marrja në pyetje e policisë, duhet të jenë pjesë e këtij hetimi të pavarur e profesional që drejtësia të vihet në vend”, tha Kurti.

Në pjesën tjetër të fjalimit, kryeministri foli për rëndësinë e drejtësisë përtej aspektit juridik, duke e cilësuar atë si vlerë themelore për funksionimin e shoqërisë.

“Drejtësia nuk është vetëm koncept juridik, por vlerë që duhet të mirëmbajë njeriun dhe mbarë shoqërinë. Sepse e kundërta e drejtësisë, padrejtësia, nuk prek vetëm një pjesë të njeriut e as një njeri të vetëm, por ajo prek thelbin tonë si shoqëri”, deklaroi Kurti.

Ai e përshkroi Astrit Deharin si bir të një familjeje punëtore dhe patriotike, student të shkëlqyer të mjekësisë dhe aktivist të përkushtuar.

“Sot jemi për përkujtimin e Astritit. Bir i një familjeje punëtore patriotike, bir i një babai që e ka punuar historinë për fëmijët në një shqipe të kulluar e nëpër figura të larta të historisë shqiptare. Astriti u kthye i brymosur me ndjenjën e lirisë së pafundme për vendin e vet, me zellin e përsosmërisë, dhe si i tillë u bë student i shkëlqyer i mjekësisë. Ai u kthye i brymosur me virtytin e thjeshtësisë, dhe si i tillë nuk kishte për të hierarki punësh. Ai ishte aktivisti i plotë”, tha Kurti.

Sipas tij, humbja e Deharit nuk duhet parë vetëm si një ngjarje e së kaluarës, por si mungesë e përditshme e një njeriu që do të mund të kontribuonte në shoqëri.

“Drejtësia nuk është vetëm zbulimi i padrejtësisë. Drejtësia, ajo e thella, kërkon me e mat me tërë mendimin dhe ndjenjën mungesën nëpër vite të mjekut vetëmohues që do të ishte Astriti. Largimi i Astritit nuk është një çast, por mungesa e ditëpërditshme e tij mes nesh. Padrejtësia nuk godet vetëm në të tashmen, por në të gjithë të ardhmen që mund të ndërtojnë njerëzit e lartësisë dhe thjeshtësisë së Astrit Deharit”, u shpreh kryeministri.

Ai shtoi se vendosja e drejtësisë për Astritin do të përbënte edhe një përpjekje për të korrigjuar humbjet që, sipas tij, shoqëria shqiptare ka përjetuar ndër dekada.

“Nëse ne ia mbërrijmë ta vendosim drejtësinë për Astritin, ne do të kemi korrigjuar shumë humbje që ka pësuar populli ynë nëpër dekada, humbje në njerëzit më të mirë. Vonesa jonë si shoqëri e komb vjen nga fakti se më të mirët janë flijuar për ne, meqë në çdo formë cinike regjimi ka goditur në më të mirën”, deklaroi Kurti.

Në fund të fjalimit, kryeministri përmendi edhe vajzën e Astrit Deharit, Arsën, e cila nuk pati mundësi ta takonte babanë e saj, ndërsa tha se ajo kishte shkruar një poezi për të.

“Astriti ka lënë pas një vajzë të mrekullueshme që është sot këtu me ne. Ata nuk e panë njëri-tjetrin, por imagjinata e mrekullueshme e Arsës ka krijuar një poezi mbi imagjinatën e saj për babën e vet, Astritin. Më lejoni ta lexoj”, shtoi Kurti.

Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor 2016, derisa ndodhej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Dhjetë vjet pas vdekjes së tij, familja Dehari dhe përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e plotë të rastit dhe vendosjen e drejtësisë.

Reklamë