Përgatiti: Nora Luta
Katër vjet pas ngjarjes, i dënuar me 12 vjet burgim nga Gjykata e shkallës së parë për shpërthimin në Zhur të Prizrenit, Arben Gashi e ka ndryshuar deklaratën e tij të premten para kolegjit të Apelit.
Gashi ndryshe, nga ajo çfarë kishte thënë gjatë hetimeve dhe procesit gjyqësor, tha se i dënuari tjetër, Iran Badalli, nuk është përgjegjës e mjetin shpërthyes ia shiti ish-gruas së tij.
Sipas tij, kishte një arsye se pse nuk e kishte treguar këtë më herët.
I kontaktuar nga televizioni ish-prokurori i rastit Metush Biraj, e ka quajtur shpifje deklaratën e Gashit.
Me këtë deklarim nuk është pajtuar as avokati i ish-policit Artur Mrasori, i cili ka humbur pothuajse tërë shikimin nga shpërthimi.
Besnik Berisha para kolegjit të Apelit, kujtoi deklaratat e mëhershme të Gashit.
E mbrojtja e të dënuarve kërkoi kthimin e rastit në rigjykim, ose ulje të dënimit.
Badalli dhe Gashi u dënuan me 12 vjet burgim për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, dhe armëmbajtje pa leje.
Një thirrje për dhunë në familje kishte dërguar policinë në shtëpinë e Badallit, në janar të 2020-s, e cila pastaj kishte dyshuar për substanca narkotike dhe pas kontrollit nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, kishte hasur në mjet shpërthyes, i cili ia mori jetën një zyrtari policor dhe tre të tjerë u lënduan rëndë.
Sipas aktakuzës, të dënuarit, në janar të 2020-s, janë furnizuar me mjet eksplodues nga Valbon Çollaku, të cilin e kanë fshehur në shtëpinë e Badallit në Zhur, i cili të premten nga salla e gjykimit doli i nervozuar me avokatin Besnik Berisha.