Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka zbuluar destinacionin e protestës së ardhshme që do të mbahet pas asaj të paralajmëruar në Strasburg.
Në një intervistë, Gucati tha se protesta e fundit për këtë vit do të zhvillohet në muajin dhjetor, dhe vendi ku do të mbahet është Shkupi i shqiptarëve.
“Lokacioni i ardhshëm pas zgjedhjeve në Maqedoni do të jetë Shkupi i shqiptarëve. Kjo do të jetë protesta e fundit për këtë vit, sepse më pas nuk do të ketë më protesta. Po e analizojmë me kujdes situatën në Maqedoni pasi të përfundojë balotazhi dhe të qetësohet gjendja, do ta caktojmë datën. Nuk duam të na akuzojnë se shoqatat e luftës së UÇK-së po shkaktojnë ndonjë incident. Ne do të shkojmë me hapa të sigurt, për të mbajtur një protestë paqësore në Maqedoni, sepse atje i kemi vëllezërit tanë shqiptarë,” deklaroi Gucati.
Kujtojmë se Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka zhvilluar protesta të mëdha gjatë këtij viti në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë, ndërsa Shkupi pritet të jetë ndalesa e fundit për vitin 2025.







