Hovenier përfundon misionin në Kosovë me homazhe para shtatores së Ibrahim Rugovës

Përgatiti: Benita Zeneli

Ashtu siç e nisi me të njëjtin veprim deshi edhe ta përmbyllë misionin e tij si Ambasador.

Bashkë me presidenten Vjosa Osmani, pas takimit lamtumirës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier bëri homazhe te shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“E bëj këtë në kujtim të Presidentit Rugova dhe asaj për çka ai qëndronte, këmbënguljes së tij për të drejtat e të gjithë njerëzve të Kosovës, këmbënguljes së tij për të ndjekur këto qëllime në përputhje me vlerat më të larta të komunitetit ndërkombëtar. Pata kënaqësinë ta njihja atë si një diplomat shumë i ri në atë kohë, dhe e respektoja jashtëzakonisht shumë”, Hovenier.

Hovenier gjithashtu falënderoi popullin e Kosovës për bashkëpunimin dhe përparimin që ka arritur vendi gjatë këtyre viteve, duke përsëritur edhe njëherë përkushtimin e SHBA-ve ndaj Kosovës.

“Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për të në fund të viteve ’90, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka asnjë dyshim për përparimin dhe për kapacitetin e njerëzve të Kosovës, për qëndrueshmërinë e tyre për të realizuar vizionin e tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumetnik, të begatë dhe të suksesshëm”, tha Hovenier.

Derisa falënderoi Hovenierin, presidentja Osmani theksoi se miqësia me SHBA-të bënë që shteti i Kosovës të ecën përpara në mbrojtjen e plotë të integritetit territorial.

“Angazhimi i tij për lirinë dhe pavarësinë tonë ka qenë i pandalshëm që 25 vjet, duke vepruar si një diplomat i përkushtuar në mbrojtjen e së vërtetës. Fillimisht, si pjesë e ekipit të presidentit Ahtisaari, ai luajti një rol të rëndësishëm në procesin që çoi në propozimin e pavarësisë për Republikën tonë. Më pas, ai vazhdoi kontributin e tij gjatë gjithë procesit të shtet-ndërtimit deri te misioni i tij si ambasador. Ka qenë kënaqësi e veçantë që kemi bashkëpunuar gjatë këtyre tre viteve dhe kemi punuar në interes të qytetarëve tanë”, tha Osmani.

Jeffrey Hovenier, ia dorëzoi kredencialet presidentes Vjosa Osmani Sadriu më 10 janar 2022 në Prishtinë, kështu duke shërbyer në Kosovë si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për 3 vjet.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA