Përgatiti: Nexhmie Hyseni
Kërkesat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë për Qeverinë e Kosovës nuk kanë të bëjnë aspak me presion, tha Ambasadori amerikan në Kosovë, Jefrey Hovenier.
Ai në një takim me gazetarët theksoi se Kosova nuk mund të vazhdojë me procese integruese pa bërë përparim në dialogun me Serbinë, raporton Evropa e Lirë.
“pa bërë përparim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja Kosova nuk do të mund të bëhet anëtare e BE-së; Kosova nuk do të jetë në gjendje të tejkalojë Partneritetin për Paqe për t’u bërë anëtare e NATO-s – dy synimet themelore që SHBA-ja pret që ajo t’i realizojë ”, tha Hovenier.
Sipas tij, kërkesat nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë janë legjitime, marrë parasysh mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë shtetit të Kosovës .
“Prandaj, kërkojmë nga Kosova që tash për tash të zbatojë marrëveshjen e Ohrit. Të lëvizë shpejt, për të çuar përpara negociatat për të krijuar një Asociacion të komunave me shumicë serbe”, tha Hovenier.
Në mesin e kërkesave të Bashkimi Evropian por edhe SHBA-së, është që Kosova të mbajë zgjedhje të reja në komunat veriore.
Hovenier tha se mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe është pikë që mund të shtensionojë situatën në këtë pjesë të vendit, dhe se SHBA-ja pajtohet me këtë kërkesë derisa pret që edhe serbët të marrin pjesë në zgjedhje. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: