Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se ikja e partisë në pushtet nga debatet televizive e dalja në takime partiake nëpër komuna është përpjekje e dëshpëruar për të kamufluar dështimet në qeverisje në katër vite mandat, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij ndryshe ky bojkot nuk ka si të kuptohet.
“Po të kishte rezultate, do t’i mbushnin studiot televizive e do të përballeshin me opozitën në çdo studio televizive, tryezë e forum. Është lehtë t’u flasësh militantëve partiakë që të duartrokasin, por përballja me kundërshtarët politik duhet bazuar në fakte”, ka shkruar Hoti. Hoti potencon se për katër vite mandat, kjo qeveri ka pasur 12 miliardë euro buxhet e asnjë projekt i realizuar.
“Katër vite mandat: 12 miliardë euro buxhet e asnjë projekt i realizuar, asnjë investim madhor vendor apo i huaj, probleme me energji elektrike, asnjë njohje për shtetin e Kosovës, sanksione nga BE-ja, marrëdhënie të cenuara me aleatët kryesorë të Kosovës, afera në rezerva shtetërore, në energjetikë e në sektorë të tjerë”, thekson Hoti.