spot_imgspot_img
spot_img

Hill pritet të vazhdojë dëshminë edhe sot në Hagë

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë kohës së luftës në Kosovë, Christopher Hill sot do të vazhdojë paraqitjen në Gjykatën Speciale në Hagë, duke dëshmuar në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.

Hill do ta vazhdojë dëshminë sot në orën 9:00.

“Zoti Hill, për sot përfunduam, do të duhet të rifillojmë sot në orën 09:00. Do të përpiqemi që të fillojmë pikërisht në orarin e caktuar”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith.

“Mos flisni me askënd jashtë sallës së gjyqit – e di që ju e dini këtë gjë, por unë duhet ta them sidoqoftë”, tha ai.

Çfarë dëshmoi dje Hill?

Hill dëshmoi për rolin e Hashim Thaçit gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, për rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për bisedimet në Rambuje.

Gjatë dëshmisë së tij, diplomati i pensionuar amerikan tha se Hashim Thaçi nuk kishte rol vendimmarrës dhe se ai nuk e drejtonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tha se Thaçi nuk ishte në gjendje të merrte vendime në emër të UÇK-së në bisedimet në Rambuje dhe se ai nuk ishte komandat, por “i duhej t’i pyeste komandantët në Kosovë për të dhënë një qëndrim”.

Hill dëshmoi për takimin e tij të parë me Thaçin gjatë vitit 1998, duke e përshkruar atë si njeri që fliste “butësisht dhe në mënyrë të mendueshme”.

“Mu krijua përshtypja se ai ishte më shumë për një mjedis universitar sesa për një mjedis ushtarak”.

Ai gjithashtu e përshkroi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë pa strukturë vertikale dhe pa organizim hierarkik.

Si një i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Kosovë gjatë luftës, Hill tha se e kishte shumë të vështirë ta gjente një njeri të vetëm që do të fliste në emër të UÇK-së.

Ndërkohë, Hill gjithashtu foli edhe për ish-presidentin e ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe partinë e udhëhequr nga ai, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ai dëshmoi se UÇK-ja nuk donte që Rugova të ishte zëri i Kosovës.

“Në vend që Ibrahim Rugova të ishte zëri i Kosovës, ata donin që vetë të ishin zëri i Kosovës. Mendoj që zëvendësimi i Rugovës si zëri i Kosovës dhe që vetë ata të flisnin për pavarësimin e Kosovës, ishte ndër synimet e tyre”, tha Hill.

Për më tepër, Hill tha se takimin mes Rugovës dhe presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1998 në Beograd, e nxiti SHBA-ja.

“Kur ambasadori [Richard] Holbrooke shkoi në Prishtinë, unë isha me të, dhe u ulëm me presidentin Rugova. Edhe pse nuk e kishim diskutuar këtë paraprakisht, ambasadori Holbrooke tha se ishte ide e mirë nëse Rugova do ta takonte Millosheviqin në Beograd, sepse mendonte se ky takim do të zgjidhte shumë probleme”.

“Unë isha shumë skeptik”, tha Hill.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA