Sot në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës është hedhur shorti për fazën e 1/8-tës së Kupës së Kosovës, duke prodhuar përballje tepër interesante dhe disa duele të zjarrta që premtojnë spektakël.
Dueli kryesor i kësaj faze është padyshim Prishtina – Ballkani. Kampionët në fuqi të Kupës përballen me Ballkanin, skuadër që synon rikthimin te trofeu i Kupës, të cilin e fitoi dy sezone më parë pikërisht kundër kryeqytetasve. Ky takim shihet gjerësisht si një finale e parakohshme, duke marrë parasysh rivalitetin e fortë dhe formën e të dyja skuadrave.
Një tjetër super-derbi është Drita – Llapi, një duel që gjithmonë sjell tension, emocione dhe rivalitet të madh. Drita synon trofetë prej vitesh, ndërsa Llapi ka treguar se në Kupë di të surprizojë, madje edhe të fitojë. Përballja konsiderohet e hapur dhe e paparashikueshme.
Shorti është treguar disi më i favorshëm për Gjilanin, që ndeshet me Lirinë nga Liga e Parë, si dhe për Malishevën që përballet me Trepçën ’89.
Po ashtu, janë caktuar edhe dy duele mes skuadrave të Superligës: Drenica – Ferizaj dhe Dukagjini – Prishtina e Re.
Ndërkaq, dy ndeshje tjera do të luhen mes ekipeve të Ligës së Parë: Feronikeli 74’ – Dinamo dhe Vushtrria – Vëllaznimi.
Faza e 1/8-tës pritet të zhvillohet në pjesën e parë të sezonit pranveror dhe sipas gjithçkaje që tregoi shorti, tifozët mund të presin shumë emocion dhe ndeshje me intensitet të lartë.






