Legjenda e futbollit italian, Andriy Shevchenko, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Tuttosport”, ku ka komentuar sfidat e Milanit, surprizat e këtij sezoni dhe figurat e mëdha të futbollit aktual.
Duke analizuar vështirësitë që kuqezinjtë hasin ndaj ekipeve që mbrohen ngushtë, Shevchenko theksoi se Milanit i mungon një lloj sulmuesi që i zgjidh ndeshjet me një moment të vetëm.
“Kur duhet të sulmosh dhe përpara ke pak hapësira, të duhen sulmues të vërtetë. Një sekondë mjafton për t’i surprizuar kundërshtarët. Për të qenë i kompletuar, Milanit ndoshta i duhet një lojtar tip ‘Inzaghi’ ose ‘Crespo’.”
Sheva foli edhe për surprizën e madhe të kampionatit, skuadrën e Como-s, të cilën e vlerësoi për paraqitjet e qëndrueshme:
“Ky është një kampionat pa lider absolut, shumë i hapur dhe i bukur, me ekipe surprizë si Como. Ata po zhvillojnë një sezon vërtet të shkëlqyer.”
Një tjetër emër që mori lëvdata të veçanta ishte Luka Modric, të cilin Shevchenko e konsideron ende një kampion me shumë për të dhënë:
“Modric nuk ka nevojë të krahasohet me askënd. Është një kampion i jashtëzakonshëm, me dëshirë të pashtershme. Është kënaqësi ta shohësh të luajë dhe të angazhohet ende në nivele të larta.”
Në fund, ish-sulmuesi ukrainas komentoi të ardhmen e stadiumit historik “San Siro”, duke theksuar se ndërhyrjet infrastrukturore duhet të respektojnë identitetin e tij.







