Një arsenal armësh dhe lëndësh plasëse u zbulua sot në një banesë në fshatin Zall, Fushë-Krujë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Tracking”.
Gjatë kontrolleve, policia njoftoi se “u gjetën në këtë banesë: 3 kallëpe tritol; 12 granata dore sulmuese; sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë (mina); 3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë; 4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh; 6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm; 2 kg e 25 gramë kanabis”.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, sipas policisë është shpallur në kërkim pronari i banesës, shtetasi Y. Z., 48 vjeç.
Punohet intensivisht për kapjen e tij, si dhe po hetohet me qëllim zbardhjen e lidhjes së mundshme që mund të ketë 48-vjeçari me ngjarjen e ndodhur te rrethrrotullimi i Rinasit.
Operacioni “Tracking”, është ende në vijim në Krujë dhe po kryhet në kuadër hetimeve për zbardhjen e atentatit në rrethrrotullimin e Rinasit dy ditë më parë, shkruan ATSh.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.







