Raporti: Nora Luta
Pak orë pas lajmit për vrasjen e një gruaje në Pejë, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, mblodhi në takim udhëheqësit e institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë.
Gjatë takimit me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, kryesuesin e KGJK-së, Albert Zogaj, përfaqësuesit e sistemit prokurorial Jetish Maloku e Agron Qalaj, Haxhiu tha se kërkoi që rastet e dhunës ndaj grave të trajtohen me prioritet.
Ministrja Haxhiu ka pranuar se disa nga institucionet që kanë për detyrë t’i mbrojnë gratë, kanë dështuar, duke mos përjashtuar krijimin e një task-force.
Megjithatë, një grup ndërministror që adreson parandalimin e dhunës në familje ka kohë që funksionon.
Haxhiu ka renditur disa nga veprimet që, sipas saj, u dakorduan gjatë takimit që duhet të ndërmerren urgjentisht.
Armëmbajtja pa leje dhe lirimi i të dyshuarve me procedurë të rregullt, sipas saj janë çështje që duhet të adresohen.
Kur është pyetur nëse do të duhej të kishte dorëheqje morale, Haxhiu tha se do ta bënte vetëm në një rast.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, nga paslufta 99 gra janë vrarë nga bashkëshortët e tyre.