Gazetarja e ATV-së, Donisa Fazliu, e cila po qëndron në fshatin Bajnë të Malishevës tek shtëpia e Haxhi Shalës, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, raportoi se ai është nisur për në Hagë në orët e hershme të mëngjesit.
Këtë e ka konfirmuar për ATV-në edhe avokati i tij, Xhevdet Smakiqi.
Haxhi Shala është intervistuar gjatë tërë ditës dje nga zyrtarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në selinë e EULEX-it në Prishtinë, derisa nga familjarët e tij dje kanë thënë që nuk kanë qenë në dijeni se për çfarë është intervistuar.
Bastisje në shtëpinë e Haxhi Shalës është kryer në Prishtinë, por edhe këtu në fshatin Bajnë të komunës së Malishevës.
Kujtojmë se Haxhi Shala është intervistuar edhe gjatë verës nga zyrtarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me ç’rast i është konfiskuar vetëm telefoni, derisa për rastin nga ZPS nuk kanë dhënë detaje për ATV-në, përveçse janë duke kryer aksione të vazhdueshme.
Kujtojmë se zyrtarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kanë kryer bastisje muaj më parë edhe tek pronat e ish-këshilltarit ish-ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit, me ç’rast kanë kryer bastisje edhe te prona e ish-kryetarit të Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, edhe ky i fundit është arrestuar për pengim të drejtësisë. /atvlive.tv