Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh deputet i Kuvendit, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër vendimin e Qeverisë për miratimin e projektbuxhetit të vitit 2026.
Ai e cilësoi këtë veprim si të vonuar dhe madje “për marre”.
“Shumë vonë, shumë pak. Marre! Kjo rritje është dashur të ndodhë para shumë vitesh”, tha Haradinaj.
Përveç kritikave, kreu i AAK-së paraqiti edhe zotimet e tij për një qeveri të mundshme që do të drejtohej nga ai.
“Në takimin e parë të qeverisë sonë, pensioni bazik do të jetë 200 euro, ndërsa paga minimale do të jetë 600 euro. Shtesat për të gjithë fëmijët nga 0–16 vjeç do të kenë rritje të konsiderueshme. Nënat me dy fëmijë do të marrin 100 euro, ndërsa nënat me katër fëmijë do të marrin 300 euro në muaj”, u shpreh Haradinaj.


 
                                     
    




