Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë sot ka bërë hapjen e festës në nder të shënimit të Ditës së Evropës, me c’rast morën përfaqësues diplomatik dhe figura të tjera nga politika kosovare, raporton KosovaPress.
Në një fjalë rasti, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav tha se dialogu dhe kompromisi janë shumë të rëndësishme në vendimmarrjen e Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se partnerët që duan t’i bashkohen BE-së duhet t’i marrin shumë seriozisht në praktikë këto dy fjalë, dialogun dhe kompromisin.
Orav potencoi se BE-ja ka qenë projekti më i suksesshëm i paqes në botë, për çka shtoi se demokracia është arsyeja që nuk ka luftëra në Bashkimin Evropian.
“9 maji, Dita e Evropës, është dita kur mund të shikojmë pas për të parë çfarë është arritur dhe kur mund të ëndërrojmë për një të ardhme më të mirë…Nëse flasim për atë që kemi parë tashmë, atëherë do të doja të theksoja edhe një herë se Bashkimi Evropian ka qenë projekti më i suksesshëm i paqes në botë, veçanërisht duke pasur parasysh që lufta më e madhe botërore ka filluar nga kontinenti evropian. Dhe cili është arsyeja që nuk ka luftëra në Bashkimin Evropian? Është demokracia. Është e paimagjinueshme që vende me një nivel kaq të lartë të standardeve demokratike do të luftonin njëra-tjetrën. Por demokracia është shumë e brishtë dhe ne e shohim çdo ditë. Duhet të luftojmë për të. Dhe nëse demokracia është në rrezik, atëherë vendet demokratike duhet të ngrihen dhe të luftojnë për ato vlera”, tha Orav.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav tha se përmes sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, lirisë se medias e pavarësia e gjyqësorit mund të shihet kush është pranë BE-së.
“Sundimi i ligjit, qoftë lufta kundër korrupsionit, liria e medias, pavarësia e gjyqësorit apo trajtimi i të gjitha pakicave. Dhe politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë — në këto ditë të vështira në botë dhe në Evropë — ne e shohim saktësisht kush është me ne dhe kush nuk është aq shumë me ne. Dy fjalë janë shumë të rëndësishme në vendimmarrjen e Bashkimit Evropian: dialogu dhe kompromisi. Kjo e bën vendimmarrjen ndonjëherë shumë kohëkërkuese dhe të vështirë. Por kur merret një vendim, atëherë të gjithë vendimmarrësit janë pjesë e këtij procesi dhe përgjegjës për vendimin. Prandaj shpresojmë shumë që partnerët tanë që duan t’i bashkohen Bashkimit Evropian do t’i marrin këto dy fjalë — dialogun dhe kompromisin — shumë seriozisht në praktikë”, potencoi Orav.
Orav citoi ish-presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova ku kishte thënë se “Vizioni im është që vendi ynë të integrohet në Bashkimin Evropian, për të transferuar një pjesë të sovranitetit të tij te Bashkimi Evropian.
Shefi i Zyrës së BE-së tha se kjo është edhe detyrë e tyre dhe se ky është vizioni për të cilin po punon.
“Në përfundim, do të doja të citoja presidentin e ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova. Vizioni im është që vendi ynë të integrohet në Bashkimin Evropian, për të transferuar një pjesë të sovranitetit të tij te Bashkimi Evropian. Është gjithashtu detyra jonë ta bëjmë këtë nëse duam të vendosim tregti dhe zhvillim të shëndoshë ekonomik. Ky është vizioni mbi të cilin po punoj dhe do të vazhdoj të punoj edhe në të ardhmen”, tha Orav.
Në nder të Ditës së Evropës, Zyra e Bashkimit Evropian ka organizuar edhe Festivalin Evropian të Filmit në Gjilan, me c’rast do të shfaqem disa filma të kinemasë evropiane, nga dje e deri më 8 maj.
Përveç kësaj, do të mbahen edhe aktivitete të tjera nesër dhe më 9 maj, kur zyrtarisht kremtohet Dita e Evropës. /kp