Pas një periudhe të vështirë me lëndime dhe mungesë të vazhdimësisë në nivele të larta, ylli i kombëtares së Marokut, Hakim Ziyech, ka vendosur të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij.
Mesfushori ofensiv është zyrtarizuar si përforcimi më i ri i klubit Wydad Casablanca, një prej emrave më të mëdhenj në futbollin maroken dhe afrikan.
Ziyech, i cili më parë ka luajtur për klube të njohura si Ajax, Chelsea dhe së fundmi Al-Duhail në Katar, ka zgjedhur të rikthehet në vendlindje për të vazhduar karrierën si lojtar i lirë, pasi përfundoi kontratën me klubin katariot.
Marrëveshja mes lojtarit dhe klubit maroken është arritur gjatë ditës së sotme, dhe pritet që prezantimi zyrtar të bëhet në një ceremoni speciale në Casablanca, ku tifozët e Wydad-it presin me entuziazëm ardhjen e një prej figurave më të njohura të futbollit maroken në vitet e fundit.
Ky transferim shënon për herë të parë që Ziyech do të luajë në kampionatin e vendit të tij, pavarësisht se karriera e tij ndërkombëtare ka nisur dhe është zhvilluar jashtë Marokut. Ai e nisi ngritjen e tij në Holandë me Heerenveen, më pas shpërtheu me Ajaxin, për të kaluar te Chelsea në Premier League, ku fitoi edhe Ligën e Kampionëve.
Gjatë qëndrimit të tij te Al-Duhail, Ziyech u përball me disa probleme fizike dhe nuk arriti të lërë gjurmë, duke u paraqitur vetëm në 9 ndeshje dhe duke shënuar një gol.
Tani, në moshën 32-vjeçare, ai kërkon të rigjejë formën e tij më të mirë dhe të ndihmojë Wydad-in në garat vendore dhe kontinentale. Për vetë klubin, ardhja e Ziyech shihet si një goditje e madhe në merkato dhe një sinjal i qartë për synimet e larta në sezonin e ri. /ATVLIVE.TV