Manchester City pësoi një humbje befasuese 3-1 si mysafir ndaj Bodo/Glimt të martën mbrëmë, dhe Erling Haaland nuk nguroi të marrë përgjegjësinë për këtë rezultat zhgënjyes.
Në një intervistë pas ndeshjes me TNT Sports, sulmuesi norvegjez theksoi se humbja është përgjegjësi e tij dhe e disa lojtarëve me përvojë, duke përfshirë Rodrin, Gigi Donnarumman dhe Tijjani Reijnders. “Marr përgjegjësi të plotë, jam fajtor së bashku me ta. Ne jemi lojtarë me përvojë dhe duhet të marrim më shumë përgjegjësi,” tha Haaland.
Ai shtoi se performanca e skuadrës nuk ishte e mjaftueshme për një klub me historinë dhe nivelin e Manchester Cityt: “Kjo nuk ishte mjaftueshëm mirë. Ne jemi Manchester City, nuk mund të mos fitojmë. Nuk duhet të ndodhë kështu.”
Haaland gjithashtu kërkoi falje nga tifozët për një humbje që e cilësoi si “turpëruese”. “Është përgjegjësia ime që nuk shënojmë mjaft gola. Mund t’u kërkoj vetëm falje çdo tifozi të Manchester Cityt, veçanërisht atyre që udhëtuan për të na mbështetur. Më vjen shumë keq për këtë,” përfundoi sulmuesi.
Trajneri Pep Guardiola pranoi se skuadra tregon ndonjëherë brishtësi, por nënvizoi se performancat nuk janë aq të dobëta sa sugjeron rezultati përfundimtar. Pas kësaj disfate, kualifikimi i Manchester Cityt për në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve do të vendoset në ndeshjen e fundit kundër Galatasarayt.






