Dy persona janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “grabitje” në Pejë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti kishte ndodhur më 28.01.2026, rreth orës 15:45 në rrugën “Eliot Engel” në Pejë.
Policia i është përgjigjur menjëherë rastit dhe, pas arritjes në vendngjarje, nga deklarata e viktimës – e cila ndodhej në orarin e punës – ka kuptuar se dy persona të maskuar kishin hyrë në lokal dhe, nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë (thikë), kishin arritur t’i marrin viktimës para në shumë prej një mijë (1000) eurosh, për t’u larguar më pas në drejtim të panjohur.
Pas një pune intensive hetimore nga hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime, në bashkëpunim me njësitet e Stacionit Policor në Istog, më 30 janar 2026, rreth orës 23:00, zyrtarët policorë kanë arritur t’i lokalizojnë dhe t’i arrestojnë dy të dyshuarit në bjeshkët e Istogut, lidhur me grabitjen e ndodhur më 28 janar.
Pas intervistimit nga hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime, me urdhër të prokurorit të Shtetit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Të njëjtit dyshohen gjithashtu edhe për një grabitje tjetër, e cila ka ndodhur më 21 dhjetor 2025, në rrugën “Bekim Berisha” në Pejë.






