Barcelona ka marrë një tjetër lajm të hidhur këtë javë. Mesfushori i talentuar, Gavi, do të mungojë për 4-5 muaj pas ndërhyrjes kirurgjikale në gju, i cili rezultoi në gjendje më të rëndë nga sa ishte menduar fillimisht. Operacioni ka qenë i suksesshëm, por periudha e rikuperimit do të jetë e gjatë dhe e vështirë.
Ky është një tjetër goditje për 20-vjeçarin, i cili vetëm pak muaj më parë kishte kaluar afro një vit jashtë fushave pas këputjes së ligamentit të kryqëzuar anterior në të njëjtin gju. Megjithatë, lojtari i Barcelonës ka zgjedhur të përçojë optimizëm.
Në një mesazh në Instagram, Gavi shkroi:
“Do të kthehem sa herë të jetë e nevojshme për të mbrojtur Barçën dhe popullin tim deri në fund. Një kampion nuk matet në momentet e suksesit, por në forcën për t’u ngritur pas rënies. Faleminderit për gjithë dashurinë dhe mbështetjen!”
Mesazhet e ngrohta nuk munguan as nga shokët e tij të ekipit. Lamine Yamal e quajti “luftëtarin e tij” dhe u shpreh i bindur se Gavi do të kthehet edhe më i fortë, ndërsa Alejandro Balde i dërgoi një mesazh mbështetjeje duke e quajtur “vëllai i tij”. Urime të sinqerta erdhën edhe nga ish-shoku i skuadrës, Ousmane Dembele, fitues i Topit të Artë 2025, i cili shkroi: “Shpresoj të shërohesh shpejt që të të shoh sërish duke u argëtuar në fushë. Më mungon!”
Pavarësisht sfidave, vendosmëria dhe forca e Gavit lënë të kuptohet se rikthimi i tij do të jetë vetëm çështje kohe.