Në mungesë të ministrit në detyrë të Brendshëm, Xhelal Sveçla, është shtyrë seanca gjyqësore që trajton përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvend më 2018.
Gjyqtari Sabit Sadikaj tha se Sveçla kishte njoftuar paraprakisht gjykatën për mungesën e tij dhe, për këtë arsye, seanca nuk mund të mbahej dhe është shtyrë për më 16 janar.
“Pasi i pandehuri Xhelal Sveçla e ka njoftuar gjykatën me shkrim duke arsyetuar mungesën, seanca e sotme nuk mbahet. Secila palë që mungon, do të përballet me urdhërarrest dhe kërkesë për caktim të masës së paraburgimit,” deklaroi gjyqtari Sadikaj.
Në seancën e së premtes ishin të pranishëm vetëm Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 qershor 2024, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-s. Vendimi i Themelores më pas u mbështet edhe nga Gjykata e Apelit.
Në seancën fillestare më 26 mars 2024, katër të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.


 
                                     
    




